Futboll

Barça-Real, të rinj dhe të bukur! Gavi kundër Belingham, dy yjet e ‘Clasico’-s të polemikave

Gazeta Si – Në orën 16:15 luhet sot një nga ndeshjet më të ndjekura në botë. Dy klubet kanë përplasje për çështjen ‘Negreira’ dhe Florentino Perez nuk do të jetë në ‘Montjuic’, ku luhet ndeshja e sotme.

‘Clásico’ i parë sezonal luhet në ‘Montjuic’, jo në ‘Camp Nou’, ku kanë nisur punimet. ‘Clásico’ i polemikave, të rinjve dhe të munguarve. Barça-Madrid këtë herë mund të shihet nga shumë këndvështrime, brenda dhe jashtë fushe.

Për herë të dytë radhazi Florentino Perez, presidenti i Real Madrid, nuk do të jetë i pranishëm në ‘Palco de Honor’, pranë Joan Laportas, kolegut të tij besnik në projektin e Superligës. Sot është armik, pas procesit për korrupsion të hapur në Barcelonë për çështjen ‘Negreira”, zv.presidentin e Komitetit Arbitral spanjoll në vitet 2001-2018, që është paguar nga katalanasit me 7.3 milionë euro për konsulencë.

Florentino e shpëtoi Joanin në 2021-shin, kur ky i fundit u bë president. Perez i dha një dorë për të gjetur më shumë se 100 milionët e nevojshëm që kërkonte statuti i klubeve për ata që zgjidhen në krye të tyre. Më pas të dy, bashkë me Anjelin, bënë paktin e Superligës, që u venit më pas.

Raportet mes Perez dhe Laportës u ftohën gradualisht, për t’u prishur përfundimisht pas çështjes ‘Negreira’. Florentino nuk shkoi në ‘Camp Nou’ në pranverë dhe nuk do të jetë sot në ‘Montjuic’, impianti në kodër të qytetit katalanas, i konsideruar i ftohtë, i vështirë për të shkuar dhe jo komod për të parë ndeshjet. Në ‘Camp Nou’ nuk do të luhet të paktën deri në nëntor të 2024-ës.

Nuk do të jetë tavolina klasike e drejtuesve të dy skuadrave para se ata të sfidohen në fushë. Raportet janë të acaruara nga çështja e arbitrave. Mund të duket e çuditshme, por te Reali ndihen ‘viktimë’ e një komploti të arbitrave. ‘Real Madrid TV’ ka publikuar video me ‘helm’ për arbitrat që gjykojnë skuadrën e Ançelotit. Nuk e ka bërë për Gil Manzano, që në Barcelonë e akuzojnë për ‘madridizëm’. Diskutime të vogla, që në rrjetet sociale bëhen gjigante.

Le të kalojmë te ndeshja, që do të vendoset nga zgjedhjet e dy trajnerëve. Ksavi ka një listë të gjatë mungesash: Levandovski, Pedri, De Jong, Kunde, Rapfinja dhe Serxhi Roberto. Pesë të parët janë stërvitur dje me grupin, duke sjellë pak konfuzion në lidhje me gjendjen reale të tyre, sepse bëhet fjalë për titullarë.

Mungesa e tyre në ndeshjet e fundit e ka detyruar Barcelonën të bëjë atë që është natyrale për të, të aktivizojë të rinjtë. Javën e fundit vendimtar ishte 17-vjeçari debutues Mark Guiu, ndaj Shakhtarit Fermin Lopez, 20 vjeç. Pastaj është edhe 16-vjeçari Lamine Yamal, që ka luajtur në të gjitha ndeshjet. Paradoksalisht, një nga liderët e kësaj Barcelone të goditur nga dëmtimet është Gavi, i cili duket një veteran, edhe pse në gusht mbushi 19 vjeç.

'Montjuic', stadiumi ku doluhet 'Clasico' i sotem. Gazeta Si, 28 tetor 2023

Për Ançelotin zgjedhjet janë gjithmonë të njëjtat: Kamavinga ose Mendi në krahun e majtë, eksperienca e Kros dhe Modriç dhe fuqia e Valverde, njëri mes Joselu dhe Rodrigo. Garancia vjen nga 20-vjeçari Xhud Belingham, që zë vend në kopertinnë bashkë me Gavin për këtë ‘Clásico’ të të rinjve.

Të dy bashkë bëjnë një vit më shumë se Modriç. Reali ka mbrojtjen më të mirë të kampionatit dhe një pikë më shumë se Barcelona. Katalanasit janë skuadra e vetme e pamposhtur e kampionatit dhe në ‘Montjuic’ deri tani, mes La Ligës dhe Championsit, kanë 7 fitore në 7 ndeshje. Një nisje që nuk shihej që nga koha e trajnerit Rajkard.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë