Politike

Banorët e “Astirit” bllokojnë sërish rrugën, Basha: Projekt korruptiv

Ka hyrë në ditën e 11 protesta e banorëve të zonës së “Astirit” që kundërshtojnë shembjen e mbi 300 objekteve që parashikohet të prishen për t’i hapur rrugë ndërtimit të një autostrade urbane nga Sheshi Shqiponja deri te Pallati me Shigjeta.

Qytetarët edhe këtë pasdite e kanë bllokuar aksin rrugor të “Unazës së Re” dhe për më tepër kanë ndezur goma në mes të asfaltit duke shkaktuar kaos në lëvizjen e mjeteve.
Ata gjithashtu kanë përsëritur thirrjet: “Nuk jemi shpellarë, por jemi qytetarë”, “Poshtë hajdutët”, të cilat ia drejtonin kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ministrit të Infrastrukturës Damian Gjiknuri dhe kryeministrit Edi Rama.

Në mbështetje të protestës ka qenë edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili ka zhvilluar një takim me banorët e zonës së ‘Astirit’, banesat e të cilëve preken nga ndërtimi i ‘Unazës së Re’.

Lideri demokrat shkoi pranë banorëve ku zhvilloi me ta një bashkëbisedim, ndërsa nuk kurseu sulmet për qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës.

Gjatë fjalës së tij para mediave, Basha tha se gjatë këtyre ditëve pas hetimeve që kreu opozita u konstatuan disa shkelje ligjore. Ai tha se projekti ishte i paligjshëm, ndërsa shtoi se nuk ka pasur garë për të.

“Pas një hetimi disaditor disa fakte dolën në dritë. Projekti është i paligjshëm. Një inxhinieri i ka lindur në zemër të bëjë dhuratë një projekt të kësaj unaze dhe e ka paraqitur me një projekt si autostradë dhe jo si projekt i një rruge qyteti. E dyta është skema korruptive pa konkurrencë. 40 mln euro pa garë. Projekti është i pangishëm, pasi që të krijohet një projekt i tillë ai duhet të miratohet nga pushteti vendor”, u shpreh Basha.
Kryedemokrati Basha, teksa u pyet nga gazetarët për deklaratën e kryebashkiakut Erion Veliaj se deputetët e PD ishin shpellarë, ai tha se; “S’merrem me një njeri që e ka shpirtin më te zi se plehrat e Sharrës”.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë