Treg

Bankat nuk çlirojnë kreditë, shqiptarët iu drejtohen institucioneve financiare jobankare

Gjatë vitit 2018, institucionet financiare jobanka kanë rezultuar me një fitim prej 1.7 miliardë lekësh, ose një rritje me gati 28% krahasuar me vitin 2017.

Kontributin kryesor e dhanë subjektet që ushtrojnë aktivitetin e kredidhënies.
Megjithëse renditemi të fundit në rajon për kreditimin bankar dhe një nga faktorët rezulton të jetë shtrëngimi i kritereve të kredidhënies, shqiptarët e kanë gjetur zgjidhjen tek instituconet financiare jo banka.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2018, portofoli i kredisë bruto nga këto institucione arriti në 28.6 mld lekë, në rritje me 18.3% krahasuar me vitin paraardhës.

Pjesa më e madhe e portofolit të kredisë së subjekteve financiare jobanka mbahet nga subjektet e kredidhënies dhe mikrokredisë, me 75% të totalit, ndërsa pjesa e mbetur është portofol i shoqërive të qirasë financiare dhe faktoringut.

Portofoli i kredisë së subjekteve financiare jobanka arriti në 4.9% të totalit të kredisë së sistemit bankar, me një rritje prej 0.8 pikë përqindjeje krahasuar me vitin paraardhës.
Gjatë vitit 2018, aktiviteti i subjekteve financiare jobanka qëndroi i orientuar drejt financimit të bizneseve, përkatësisht me 80% e portofolit për veprimtarinë e kredidhënies dhe 85% për veprimtarinë e qirasë financiare.

Sektorët më të financuar rezultuan “Tregtia” me 24%, “Pronat e Patundshme dhe Ndërtimi” me 11% dhe “Bujqësia” me 12%.

Treguesi i kredive me probleme, gjatë vitit 2018, ka rënë në 9.2%, gati tre pikë përqindje më pak krahasimisht me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Ndikimi kryesor në reduktimin e këtij raporti erdhi nga rritja e portofolit të kredisë, por edhe rënia e kredive me probleme afërsisht 8.5%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë