Para

Bankat financojnë industrinë. Ulet portofoli i kredisë në bujqësi

Në tremujorin e parë të vitit 2019, kredia për biznese u rrit me 6 miliardë lekë. Sektori më i favorizuar nga bankat ka qenë industria. Sipas Bankës së Shqipërisë, portofoli i kredisë i sektorit të industrisë ka pasur një rritje vjetore prej 9,3 % duke kthyer tendencën e tkurrjes së portofolit për më shumë se një vit.

Rritja e këtij sektori, sqaron BSH, ka ekuilibruar tkurrjen e portofolit të kredisë në sektorin e bujqësisë dhe atë të shërbimeve të tjera.
Sektori i ndërtimit ka shfaqur në tremujorin e parë një rritje të moderuar me 0.8 miliardë lekë, kurse ai i tregtisë ka rezultuar me një rritje të ngjashme me tremujorin paraardhës prej 1.7 miliardë lekë.

Por struktura e portofolit të kredisë sipas sektorëve të ekonomisë vijon të dominohet nga kreditimi i tregtisë, e cila përbën 44% të portofolit të kredisë për biznese. Kredia për industrinë ka shënuar rritje të peshës në 25%, ndërsa pesha e kredisë për ndërtim dhe ajo për bujqësi kanë mbetur të pandryshuara në përkatësisht 15% dhe 1.4% të totalit.
Në aspektin e madhësisë së ndërmarrjeve, është vënë re se është rritur lehtas raporti i kredisë ndaj PBB-së për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) dhe është ulur disi ai i korporatave.

BSH shpjegon se në vitet e fundit, nëpërmjet politikave favorizuese për NVM-të, bankat kanë zgjeruar peshën e financimit të NVM-ve në portofolet e tyre. Në muajin mars, ky portofol përbënte 46% të totalit të kredisë për bizneset e sektorit privat, rreth 0.4 pikë përqindjeje më i lartë se një vit më parë. Pavarësisht rënies së peshës së kredive për korporata ndaj totalit, ato mbeten klientët kryesorë të sektorit bankar.

Përmirësimi i ritmeve të rritjes së portofolit të kredisë për biznese është mbështetur më së shumti nga kredia për biznesin e madh, e cila u rrit me rreth 4.2 miliardë lekë gjatë tremujorit të parë. Në terma vjetorë, kredia për korporatat shënoi përmirësim të ritmeve të rritjes në 4.7% përkundrejt 2.2% të shënuar në muajin dhjetor. Kredia për NVM është ngadalësuar, duke dhënë një kontribut më të vogël në zgjerimin e portofolit të kredisë këtë tremujor. Bazuar në opinionin e bankave, kredia për NVM-të duket të jetë mbështetur nga standardet disi më të lehtësuara nga bankat, ndërsa kërkesa për financim nga ky grup vazhdon të jetë e dobët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë