Treg

Banka Europiane rriti normat e interesit në nivelin më të lartë që nga 2001-shi

Banka Qendrore Europiane rriti kostot e huamarrjes në nivelin më të lartë në 22 vjet dhe la mundësitë e hapura për më shumë rritje, duke e zgjeruar luftën e saj kundër inflacionit të lartë, edhe pse ekonomia e Europës është në vështirësi.

BQE rriti normën e saj bazë të interesit për të tetën herë radhazi, me 0.25% në 3.5%, niveli më i lartë që nga viti 2001.

Banka qendrore për 20 vendet që përdorin monedhën e përbashkët euro tha gjithashtu se priste që inflacioni të qëndrojë mbi objektivin prej 2% deri në vitin 2025 dhe la të kuptohet edhe një herë për më shumë rritje të normës në muajt e ardhshëm.

“Vendimet e ardhshme do të sigurojnë që normat kryesore të interesit të BQE-së do të sillen në nivele mjaft kufizuese për të arritur një kthim në kohë të inflacionit në objektivin afatmesëm prej 2% dhe do të mbahen në ato nivele për aq kohë sa është e nevojshme,” tha BQE.

Rritja në eurozonë është në rastin më të mirë në stanjacion dhe inflacioni ka qenë i moderuar prej muajsh, falë çmimeve më të ulëta të energjisë dhe rritjes më të madhe të normave të interesit, në historinë 25-vjeçare të BQE-së.

Të mërkurën pasdite, 15 qershor, Rezerva Federale e SHBA-së theu një varg prej 10 rritjesh të njëpasnjëshme të normës këtë javë, një sinjal i fuqishëm për investitorët në mbarë botën, se cikli aktual i shtrëngimit në ekonomitë e zhvilluara po i afrohet fundit, edhe nëse janë ende të mundshme rritje të tjera të normës në SHBA.

Por, inflacioni në Eurozonë është ende në mënyrë të papranueshme i lartë për BQE-në, në 6.1%, më shumë se trefishi i objektivit prej 2%, dhe rritja themelore e çmimeve, e cila zakonisht përjashton ushqimin dhe energjinë, sapo ka filluar të ngadalësohet.

Situatë e paqartë

BQE do të përditësojë parashikimet ekonomike, të cilat ka të ngjarë ta vendosin inflacionin më afër objektivit, por ende mbi 2%, përpara se të arrijë objektivin në 2025.

Përcaktuesit e normave të Eurozonës, janë fokusuar në të dhënat aktuale ekonomike, që kanë paraqitur një perspektivë të paqartë.

Rënia ekonomike pre dy të katërtash, në fuqinë industriale në Gjermani, e tërhoqën Eurozonën në recesion dimrin e kaluar dhe ekonomia ka të ngjarë të ketë vetëm rritje modeste këtë vit.

Por, papunësia është në nivelet më të ulëta rekord dhe pagat po rriten, edhe nëse ende mbetet prapa inflacionit.

Rritja e çmimeve kryesore ka rënë me shpejtësi, pasi arriti në vlera dyshifrore në fund të vitit të kaluar. Por çmimet bazë, veçanërisht për shërbimet, ende nuk e kanë treguar rënien vendimtare.

Kostot e larta të huamarrjes po frenojnë kërkesën për kredi nga individët dhe kompanitë, si dhe gatishmërinë e bankave për të dhënë hua, por konsumi po mbahet mirë në terma nominalë.

Ekonomistët presin, që BQE të dërgojë një mesazh më të ekuilibruar, në lidhje me perspektivën, sesa në takimet e fundit, kur theksoi nevojën për të rritur më tej normat për të ulur kërkesën.

“BQE ndoshta do të theksojë edhe më fort se më parë, se rruga e saj e ardhshme e politikës, është e varur nga të dhënat, mes pasigurisë së shtuar,” u shprehën ekonomistët.

Burimi: Reuters/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë