Para

Banka e Shqipërisë do të blejë euro në treg

Banka qendrore ka njoftuar për të premten datë 18 tetor 2019 një ndërhyrje në tregun valutor në nivelet 3-4 milionë euro çka pritet të ndikojë në kursin e këmbimit për zhvlerësimin e monedhës kombëtare, lek. Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor kryhen për shmangien e çrregullimeve të tregut të brendshëm valutor, përshtatjen e kursit të këmbimit me nivelin e përcaktuar nga faktorët bazë makroekonomikë si dhe rritjen ose uljen e rezervës valutore.

Për këtë vit kjo është ndërhyrja e 8-të e Bankës qendrore në tregun valutor ndërkohë që deri në muajin shtator BSH ka blerë 57.2 milionë euro për rritjen e rezervës valutore por dhe zbutjen e mbiçmimit të lekut ndaj euros.

Banka e Shqipërisë e ka ndryshuar strategjinë e saj duke bërë trasparente veprimet në tregun valutor, përfshirë veprimet me bankat tregtare në zbatim të politikës së ndërhyrjeve në tregun valutor në kushtet e regjimit fleksibël të kursit të këmbimit. Si rregull deklaratat mbi shitjen ose blerjen e valutës në tregje publikohen 3 muaj pasi ka përfunduar ndërhyrja përkatëse.

Në përputhje me vendimin e Komitetit të Zbatimit dhe Këshillimit të Politikës Monetare të datës 18.12.2018, për të blerë valutë nga bankat e nivelit të dytë gjatë vitit 2019, me objektiv rritjen e rezervës valutore, Banka e Shqipërisë në tremujorin e dytë, ka organizuar 5 ankande të blerjes së valutës në përputhje me kalendarin e publikuar (shiko tabelën në fund):

Rezultatet janë shpallur në deklaratën e datës 27 shtator 2019 nga ku rezulton se në ankandet e organizuara 3-mujor, janë blerë 39.20 mln euro, pas 18 mln eurove të blera në 2 ankandet e 3-mujorit të parë. Në të gjitha rastet, Banka e Shqipërisë ka përdorur opsionin e blerjeve në raund-in e dytë, sikurse parashikohet në rregullore. Rezultatet e detajuara të të gjitha ankandeve të zhvilluara nga Banka e Shqipërisë mund t’i gjeni në lidhjen e mëposhtëm. https://www.bankofalbania.org/Tregjet/Operacionet_e_Bankes_se_Shqiperise/Nderhyrjet_ne_tregun_valutor/.

Gjatë 2018-s, Banka e Shqipërisë ka blerë gjithsej një sasi rekord prej 463 milionë euro në tregun e brendshëm valutor në vitin 2018, ku pjesa më e madhe e kësaj ndërhyrjeje ishte për të frenuar rënien e euros (që në qershor arriti në nivelin më të ulët të 10 viteve në rreth 124 lekë), amortizuar efektet e konvertimit të kapitalit të bankave dhe një kredie të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe më pak për të rritur rezervat e saj valutore.

Ndonëse Banka e Shqipërisë bleu më shumë se 460 milionë euro për të frenuar rënien e monedhës së përbashkët, sërish kjo e fundit shënoi nënçmimin më të madh vjetor që nga 2004-a. Për gjithë vitin 2018 kursi mesatar i këmbimit të euros ndaj lekut ishte 127.6 lekë, me një rënie prej 6.5 lekësh në raport me mesataren e një viti më pare.

Tendenca rënëse ka vijuar dhe në 2019-n, por me ritme më të ulëta. Euro ka humbur rreth 3 lekë në krahasim me fillimin e këtij viti dhe aktualisht këmbehet në rreth 122 lekë.

Burimi: Monitor


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë