Lajme

“Banda e bagazheve” të Rinasit, 2 në pranga për vjedhjen e pasagjerëve

Katër punonjës të ngarkim-shkarkimit të bagazheve në Aeroportin e Rinasit janë proceduar penalisht nga ana e Policisë së Shtetit me akuzën e vjedhjes së udhëtarëve. Dy prej tyre u arrestuan, ndërsa dy të tjerë po hetohen në gjendje të lirë.

Të arrestuarit janë 22-vjeçari D.M., banues në Tiranë dhe 24-vjeçari E.Rr, banues në Ndroq. Dy 27-vjeçarët A.E., banues në Mëzez dhe R.H., banues në Tiranë po ndiqen penalisht në gjendje të lirë.

Personat në fjalë kishin për detyrë transportin e bagazheve të pasagjerëve, pasi këta të fundit kontrolloheshin nga personeli aeroportual. Gjatë transportit të tyre, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, katër personat në fjalë hapnin e kontrollonin valixhet e udhëtarëve.

Eurot e sekuestruara ne cilesine e proves materiale

Policia njofton se ndaj këtyre shtetasve kishte mbërritur denoncimi i një pasagjeri, të cilit i kishin vjedhur në bagazhet e tij 4800 euro. Denoncuesi po udhëtonte nga Shqipëria në drejtim të Sllovenisë. Mungesën e shumës së parave ai e ka vënë re në Aeroportin e Ljubjanës dhe më pas ka bërë denoncimin në Komisariatin e Rinasit.

Policia thotë se ka sekuestruar 4550 euro, që mendohet se janë të denoncuesit, ndërkohë që mendon se grupi në fjalë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë autorë edhe të paktën katër vjedhjeve të tjera të ndodhura në Rinas përgjatë dy muajve të fundit.

Viktimat janë shtetas të ndryshëm dhe në shënjestër të autorëve, punonjës të ngarkim-shkarkimit të bagazheve në linjat ajrore kanë qenë sendet me vlerë, si bizhuteritë dhe vlerat monetare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë