Lajme

Balluku: Siguri dhe jo më abuzime, Task Forca rrugore me teknologji të re

Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku është shprehur se nuk do të ketë më abuzime në fushën e transportit rrugor pasi Task Forca është ristrukturuar tërësisht dhe është pajisur me mjetet e zërit të fundit të teknologjisë.

“Kemi arritur më në fund që përveç personelit të cilët tashmë janë të kualifikuar dhe me përgjegjshmëri të plotë ne kryerjen e detyrë në të gjitha akset rrugore të Republikës së Shqipërisë, kemi edhe pajisjet elektronike që ofrojnë transparencë totale të të gjithë procesit”, u shpreh ministrja Balluku duke theksuar se e gjithë puna e kësaj strukture është e fokusuar tek siguria rrugore.

Kurse drjtori i DPSHTRR Blendi Gonxhe tha se “Ky është kthimi i shtetit në rrugë për rritjen e sigurisë së transportit rrugor, për sigurinë e të gjithë mjeteve që qarkullojnë në të gjitha akset e vendit me një nivel krejt tjetër, me një modernizmi të një niveli bashkëkohor. Synimi është për një kontroll rrugor objektiv edhe të shpejtë, për një forcë të kontrollit rrugor e cila është tashmë e dixhitalizuar, e monitoruar në kohë reale dhe e pajisur me mjete që janë mjaft moderne në mënyrë që të jemi në lartësinë e kohës”.

Për ministren, dokumentimi i të gjithë procesit të kontrollit në terren nga ana e inspektorëve, do t’i jap fund edhe pretendimeve për sjelljen e inspektorëve në terren ndaj drejtuesve të mjeteve apo shqetësime të tjera që kanë shoqëruar këto procese ndër vite.

Pajisja e lëvizshme në anë të rrugës për Kontrollin Teknik të Mjeteve Rrugore mundëson kontrollin teknik të automjeteve në të njëjtën mënyrë siç kryhet gjatë procesit të kolaudimit, ndërsa peshorja portabël bën të mundur matjen e peshave aksiale të mjeteve për transport mallrash deri në 15 ton për aks.

Gjithashtu përmes kamerave të trupit do të bëhet e mundur filmimi dhe fotografimi i të gjithë procedurave të kontrollit të mjetit dhe i mbajtes së aktit të konstatimit. Kamerat kanë rezolucion HD dhe cilësi të lartë të zërit duke bërë të mundur një filmim të qartë dhe të pastër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë