Lajme

Balluku me naftëtarët në Fier: Do i zgjidhim problemet tuaja

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në një takim nga Fieri me naftëtarë dhe përfaqësues të sindikatave të tyre, i ka siguruar naftëtarët se do të vazhdojnë të kenë vëmendjen dhe mbështetjen e qeverisë për zgjidhjen e problematikave të tyre.
“Qeveria Rama e ka fokusin te naftëtarët. Mos harroni që është bërë një projektligj, i cili ka dashur kohë dhe mund. Zbardhja e akteve nënligjore kërkon kohën e saj, rishikimi dhe reformimi i akteve ligjore kërkojnë gjithashtu kohën e tyre. Por ju duhet të vlerësoni vëmendjen e qeverisë që është totalisht te ju dhe unë ju premtoj që gjithçka thamë sot ne do ta realizojmë shumë shpejt”, është shprehur ministrja Balluku.
Po ashtu edhe deputeti Ismet Beqiraj, pjesëmarrës në këtë takim, ka rikonfirmuar qëndrimin e mazhorancës për të mbështetur naftëtarët.
“Ka qenë vullneti i kësaj mazhorance qeverisëse që u ka thënë po naftëtarëve dhe specialistëve për të bërë një status. Dhe sot naftëtarët e kanë statusin e tyre. Është paraqitur një projektligj për trajtimin financiar të punonjësve që kanë punuar në të tre industritë, minatorët, naftëtarët dhe metalurgët sepse edhe këto janë shtresa shoqërore sociale që duhen trajtuar”, tha ndër të tjera Beqiraj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë