Politike

Ballkani parakalon përpara Parlamentit Evropian

Incidenti në Bularat duket se ka përndjekur vendin tonë edhe në Parlamentin Europian, ku u akuzua madje nga deputetë grekë edhe për “spastrim etnik”. Edhe pse ishte një seancë për paraqitjen e raporteve të Komisionit Europian mbi gjashtë vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor, Greqia e shfrytëzoi seancën në Bruksel për të dëmtuar imazhin e Shqipërisë në mesin e vendeve anëtare.

Megjithatë pjesa më e madhe e deputetëve të Parlamentit Europain u pajtuan se vendi ynë ka bërë përparime të mëdha në rrugën e tij drejt BE-së dhe i bënë thirrje për ndërmarrjen e reformave që lidhen me financimin e partive.

Zhvillimet e të enjtes erdhën gjatë një sesionit plenar ku u diskutuan rezolutat mbi përparimin e vendet e Ballkanit Perëndimor të hartuara nga Komiteti i Punëve të Jashtme (AFET).

Çdo projekt-rezolutë u prezantua fillimisht nga raportuesi i vendeve përkatëse dhe më pas u komentua nga Komisioneri Europian për Zgjerimin Johannes Hahn dhe Sekretarja e Shtetit në Ministrinë e Brendshme të Austrisë Karoline Edtstadler si përfaqësuese e Këshillit të Bashkimit Europian. I vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk është komentuar nga PE është Bosnja dhe Hercegovina, për shkak të procesit të vazhdueshëm të formimit të qeverisë në këtë vend.

Parlamenti Europian i bëri edhe njëherë thirrje Kosovës që të hiqte tarifat ndaj Serbisë dhe kritikoi po ashpër qëndrimin e kryeministrit Edi Rama në Pejë. 

Parlamenti Evropian në Bruksel

Shqipëria

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein theksoi se reformat gjyqësore kanë shkuar përtej asaj që vetë Komisioni i kishte kërkuar Tiranës zyrtare. Ai i bëri thirrje qeverisë që të bëjë maksimumin për të hapur negociatat verën e ardhshme.

“Reforma zgjedhore duhet të zbatohet sipas rekomandimeve të OSBE-së para zgjedhjeve lokale të vitit 2019. Ne duhet ta inkurajojmë Shqipërinë për të mos devijuar këtë rrugë që ka nisur”, përfundoi ai.

Por Komisioneri Hahn theksoi nevojën për reforma që lidhen me financimin e partive, si dhe përmirësimin e profesionalizmit të organeve të pavarura zgjedhore.

I papritur ishte qëndrimi i deputetit Eugen Freund, i cili u shfaq në një nga zyrtarët më pro anëtarësimit të Shqipërisë, kur asnjeherë më parë nuk ishte shprehur . “Është e jashtëzakonshme të shohësh se sa larg ka përparuar Shqipëria vitet e fundit. Në vitet 1990, ishte një vend nga ku po largoheshin të gjithë njerëzit “, tha ai.

Por eurodeputetja greke, Eleni Theocharous ka reaguar me kritika të ashpra, duke e akuzuar Shqipërinë për pastrimin etnik. Ajo u kundërshtua menjëherë nga Fleckenstein, i cili i bëri të qartë se po shkonte “shumë larg”.

Eleni Theocharous

Nga ana tjetër, edhe komisioneri Hahn i cilësoi deklaratat e fundit të kryeministrit Rama në mbledhjen e përbashkët me qeverinë e Kosovës në Peje, si zhvillime negative.

“Të gjithë në rajon duhet të përmbahen nga deklarata të padobishme të cilat mund të interpretohen si sfidë ndaj palëve të caktuara, sidomos kur bëhet fjalë për debatin Kosovë-Serbi”, theksoi Hahn.

Deputetët e Parlamentit Europian përsëritën po ashtu nevojën që Shqipëria të krijojë një strategji të qëndrueshme në luftën kundër trafikut të drogës dhe përshëndeti pjesëmarrjen e saj në bashkëpunimin ndërkombëtar të policisë.

Kosova

Igor Sotles, Rraportuesi i Bashkimit Europain për Kosovën identifikoi si probleme kryesore në Prishtinë korrupsionin e gjerë dhe krimin e organizuar. Ai theksoi po ashtu edhe mungesën e konsensusit politik, si problemin më të madh të vendit.

“Çështjet dypalëshe nuk mund të zgjidhen me masa të pamenduara”, tha Šoltes, duke iu referuar tarifave ndaj mallrave serbe dhe boshnjake. “Vullneti i fortë politik është më se i nevojshëm për ta çuar vendin përpara”, tha ai, duke shtuar se tensionet aktuale duhet të trajtohen me qetësi në interes të të gjithë rajonit.

Sidoqoftë, Šoltes kujtoi se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara për liberalizimin e vizave dhe i ka bërë thirrje BE-së të përmbushë angazhimin e saj.

Komisioneri Hahn deklaroi po ashtu se vendosja e tarifave nuk do të zgjidhë ndonjë problem. “Vendimet e fundit të qeverisë së Kosovës janë shumë shqetësuese dhe janë në dëm të Kosovës dhe bashkëpunimit rajonal, shkelin rregullat e CEFTA-s dhe bien në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit”, tha ai. Ritmi i reformave është i ngadalshëm, por BE-ja do të vazhdojë të mbështesë Kosovën”. 

Igor Sotles

Deputeti Eduard Kukan deklaroi nga ana tjetër se muajt e fundit kanë qenë një humbje kohe për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. “Ne duhet të shohim një angazhim të sinqertë”, tha ai. Kukan i bëri thirrje Këshillit Europian të miratonte liberalizimin e vizave për Kosovës.

Serbia

Raportuesi për Beogradin, David McAllister theksoi se ritmi i procesit të pranimit varet nga reformat e bëra për mbylljen e kapitujve 23 dhe 24 dhe se Serbia duhet të punojë shumë për të siguruar pavarësinë e gjyqësorit dhe për të luftuar me sukses korrupsionin dhe krimin e organizuar. McAllister theksoi po ashtu se liria e medias është një tjetër problem i madh në Serbi.

“Serbia ka bërë disa përparime dhe perspektiva e saj për t’u bashkuar me BE-në është tanimë e prekshme. Kjo perspektivë behët më e rëndësishme tani që po përballemi me rritjen e tensioneve midis Serbisë dhe Kosovës “, vlerësoi Komisioneri Hahn. Ai shtoi se në Beograd ka një tablo të përzier kur bie fjala për sundimin e ligjit dhe se ka vonesa në shumë fusha të rëndësishme.

Pas komenteve të komisionerit Hahn, përfaqësuesi i Partisë Popullore Europiane, Kristian Dan Preda i bëri thirrje parlamentit për anëtarësimin e Beogradit. “Ne do të dëshironim që Serbia të bëhej anëtare e BE deri në vitin 2025, megjithëse ka shumë për të bërë, veçanërisht kur bie fjala për Kosovën”, tha ai. 

Federika Mogerini, Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi

Por deputetët e tjerë ishin shumë më kritik ndaj qëndrimit të Serbisë. Tanja Fajon, përfaqësuese e grupit socialist ka dënuar trajtimin e mediave dhe të anëtarëve të opozitës nga Beogradi zyrtar. “Ka një ndryshim të madh midis dokumenteve që paraqitën në BE dhe situatës në Serbi”, tha Fajon.

Maqedonia

“Maqedonia ka arritur një fazë në të cilën mund ta ecë e sigurt drejt rrugës së saj për në BE dhe NATO, pas vitesh të tëra pasigurie”, theksoi Ivo Vajgl, raportuesi Parlamentit Europian për Shkupin. Ai theksoi se zgjidhja tensioneve brenda vendit dhe normalizimi i marrëdhënieve me fqinjët janë sukseset më të mëdha që ka arritur Shkupi dhe shprehu shpresën se negociatat do të fillojnë në qershorin e ardhshëm.     

Vajgl deklaroi po ashtu se shtetasit maqedonas kanë sakrifikuar shumë, madje edhe anëtarët e opozitës që vendosën të mbështesin ndryshimet kushtetuese.

“Më vjen keq që Maqedonia nuk ka hapur negociatat këtë verë”, deklaroi ai. “Ndryshimi i emrit të Maqedonisë ishte ngjarja më e madhe në Ballkan këtë vit. Maqedonia konsiderohet si vendi që ka bërë më shumë përparim në ndryshimin e legjislacionit të saj”, theksoi ai.

Valgl shprehu shqetësimin e tij lidhur me vendimin e Hungarisë për të dhënë një azil për ish-kryeministrin Gruevski, duke deklaruar se ky vendim krijon një precedent të rrezikshëm.

Deputeti hungarez László Tőkés, nga ana e tij, akuzoi socialistët dhe të gjelbrit për nisjen e një sulmi ideologjik ndaj Budapestit zyrtar, duke nënvizuar mbështetjen e vendit të tij për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor. 

Johaness Hahn

Mali i Zi

Martin Tannock, raportuesi i Parlamentit Europian për Malin e Zi deklaroi se në Podgoricë ka një konsensus përgjithësisht të fortë për anëtarësimin ën BE, veçanërisht pas anëtarësimit në NATO në 2017.

“Për nëntë vjet që kam qëndruan në këtë post, Mali i Zi ka qenë gjithnjë një ogur i mirë nga Ballkani Perëndimor”, theksoi Tannock.

Megjithatë, ai vuri në dukje disa nga pengesat që përballej ende nga vendi, sidomos ato që lidheshin me lirinë e medias. “Raportet e KE-së kanë bërë të qartë se nuk ka patur asnjë përparim përgjatë tre viteve të fundit dhe sulmi kundër gazetares Olivera Leçiç është ende i pazgjidhur, kujtoi ai.    

Edtstadler u pajtua se Mali i Zi ka një kornizë institucionale dhe një sistem ligjor të përmirësuar. Sipas saj, fokusi i mëtejshëm duhet të vihet tek kapitujt 23 dhe 24.

Por deputeti Jozo Rados theksoi se duhet të bëhet m shumë për lirinë e medias. “Përveç kërcënimeve të gazetarëve, ka pasur edhe sulme ndaj Këshillit të Medias Elektronike. Mediat lokale janë në gjendje të keqe financiare dhe struktura e pronësisë nuk është e qartë”, përfundoi ai.

Komisioneri Hahn deklaroi se Mali i Zi ka kryesisht marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët e saj dhe vuri në dukje se në Ballkani Perëndimor, ky është një ogur i mirë.

“Mali i Zi ka bërë një progres të vazhdueshëm në rrugën e tij drejt BE-së”, përfundoi Hahn.

Burimet: “European Western Balkans”, “Europa. Eu”

 

Më Shumë