Futboll

Ballkani ‘ndez’ Prishtinën, djemtë e Dajës mundin Dinamon e Zagrebit në ‘Fadil Vokrri’

Gazeta Si – Ballkani i Ilir Dajës nuk njeh limite. Edhe pse ka humbur lojtarët më të mirë, që janë shitur së fundi në kampionate të huaja, kampionët e Kosovës vazhdojnë të shkëlqejnë në Europë. Ata kanë ndezur mbrëmjen e sotme Prishtinën me fitoren 2-0 ndaj Dinamos së Zagrebit.

Kryeziu dhe në Hamidi janë autorët e golave për Ballkanin në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, ku ngritën peshë mijëra tifozë. Ishte fitorja e parë e kësaj skuadre në grupet e Ligës së Konferencës ku merr pjesë për herë të dytë radhazi.

Ekipi nga Suhareka zhvilloi një ndeshje shumë të mirë dhe e meritoi fitoren, që e ngjit në vend të dytë të Grupit C, pas çekëve të Viktoria Plzen. Po ashtu, me këtë fitore Ballkani mbush edhe arkën, pasi çdo rezultat pozitiv shpërblehet financiarisht.

Trajneri Ilir Daja ndërkohë vazhdon të shkruajë historinë në kompeticionet europiane. Te Ballkani luajnë edhe disa emra të njohur të Superiores, si portieri Koliçi, Lorenc Trashi, Marsel Ismailgeci dhe Nazmi Gripshi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë