Politike

Balliu: Prokuroria të reagojë ndaj shpërdorimit të fondeve për konviktet (dosja në duart e burrit të Ermonela Felajt)

Koordinatori rajonal i Tiranës i PD-së së Rithemelimit, Klevis Balliu, deklaroi përmes një njoftimi zyrtar se 47.6 milion euro ka shpenzuar bashkia Tiranë për rezidencat studentore universitare.

“Po rezultati cili është? Më 8 maj 2023 studentë dhe aktivistë dorëzuan një kallëzim për shpërdorim detyre dhe abuzimin me fondet në lidhje me Konviktet e Qytetit Studenti.  Dy ditë pas kallëzimit të studentëve, në 10 maj 2023, SPAK shpalli moskompetencë  dhe ja kaloi çështjen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Kjo e fundit ka nisur procedim penal ndaj administratores së konvikteve Anila Shehu, për shpërdorim detyre. Prokurori i çështjes është Bledar Valikaj, bashkëshorti i deputetes socialiste Ermonela Felaj, i cili sipas studentëve ka lidhje të forta me Partinë Socialiste.

Edhe pse Kodi i Procedurave Penale në nenet 323 dhe 324 ka të përcaktuar qartë afatin e hetimeve dhe zgjatjes së tyre, akoma nuk ka asnjë përfundim për kallëzimin penal të dorëzuar nga studentët për  shpërdorimin e detyrës së administratores së Rezidencës Studentore Universitare nr.1,  znj.Anila SHehu dhe abuzimin me fondet në lidhje me Konviktet e Qytetit Studenti

Partia Demokratike në mbështetje të studentëve i bën thirrje organit të akuzës të vijojë punën menjëherë”, tha Balliu


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë