Politike

Betejat Balla – Berisha, kush doli i humburi

Përplasjet mes Taulant Ballës dhe Sali Berishës nuk kanë ndodhur vetëm në sallën e Parlamentit, por ato janë zhvendosur edhe në sallat e gjyqit. Këto konflikte të Taulant Ballës nuk ishin vetëm personale me ish-kryeministrin, por të lidhura dhe me pjesëtarët e familjes së tij si djalin Shkëlzen Berisha, vajzën Argita Malltezi, edhe me bashkëshortin e saj Jamarbër Malltezi.

Konflikti i parë mes tyre u nisi në sallën e Parlamentit, në vitin 2008 ku Berisha, asokohe kryeministër, sulmoi ashpër Taulant Ballën me një fjalor tejet banal. Parlamenti atëherë mori vendimin për përjashtimin e socialistit, duke falur Berishën.

Akuzat e socialistëve për përfitim të paligjshëm të fondeve dhe korrupsion ndaj fëmijëve të ish-kryeministrit Sali Berisha kanë qenë ato që kanë përfunduar në Gjykatë me padi për shpifje.

Padia e vetme e paraqitur në adresë të ish-kryeministrit lidhet me një deklaratë të dhënë në vitin 2016 në sallën e Parlamentit, ku ai bëri thirrje për kryengritje të armatosur. Thirrja e Sali Berishës në Parlament për armatosje, mjaftoi për Partinë Socialiste që ta padisë ish-kryeministrin në Prokurorinë e Përgjithshme. Kallëzimi u bë nga nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla për dy vepra penale: “Thirrje për armatosje kundër rendit kushtetues” dhe “Thirrje publike për veprime të dhunshme”. Për këto thirrje PS-ja kërkoi që Berisha të dënohej me 3 deri në 10 vite burg.

Përballja më e fortë e kryetarit të grupit të PS-së ka qenë me djalin e ish-kryeministrit Shkëlzen Berisha, ku e akuzonte për aferën e privatizimit të OSHE nga çekët e CEZ.

Në 6 shkurt të vitit 2013, Shkëlzen Berisha do të njoftonte se kishte bërë padi për shpifje ndaj Ballës. Ndërsa paditë e tjera kanë qenë nga Argita Malltezi dhe Jamarbër Malltezi.

Shkëlzen Berisha do të njoftonte me anë të një deklarate për median se kishte nisur një gjyq me Ballën dhe shpresonte që socialisti të mos fshihej. Këtyre akuzave të lëshuara më 6 shkurt 2013, socialisti iu kundërpërgjigj me shprehjen: “edhe 138 ditë na ndajnë nga dita kur do të rilindë edhe drejtësia e munguar. Sa për frikën, i them Shkëlzenit të pyesë më mirë babin e vet, se më njeh më mirë ai”.

Në atë kohë drejtësia "anoi" në favor të familjarëve të ish-kryeministrit. Më 22 korrik Balla humbi një tjetër gjyq me fëmijët e kryeministrit Sali Berisha. Gjykata e Tiranës vendosi 5 milionë lekë gjobë për akuzën e shpifjes ndaj vajzës së kryeministrit, Argita Berisha. Një javë më herët Balla ishte gjobitur edhe me 10 milionë lekë, pas padisë së burrit të Argitës, Jamarbër Malltezi.

Jamarbër dhe Argita Malltezi 

Në akuzën për korrupsion në çështjen "Ansar", Balla fajësonte Argita Malltezin, se studioja e saj avokatore kërkonte 3 % të vlerës së kontratës, duke i kërkuar rryshfet kështu biznesmenit Zafar Ansar për 3 milionë euro. Gjithashtu ai e akuzoi edhe për pagesat 144 milionë lekë në vit si pedagoge.

Këto  ishin arsyet e këtij gjyqi që përfundoi deri në Gjykatën e Apelit. Në mars të vitit 2016, pas tre vitesh, çështja u rrëzua duke i dhënë të drejtë Ballës. Por Argita Malltezi bëri të ditur se Gjykata e Apelit vendosi që të rikthehet çështja për rigjykim dhe akuzoi trupën gjyqësore për mosnjoftim të orarit të saktë të ditës së gjyqit. Sipas saj, Gjykata ishte angazhuar në një akt falsifikimi. “Për të justifikuar zhvillimin e seancës dy orë më herët se njoftimi, gjyqtari relator Zamir Poda ka futur në dosje një procesverbal me orar të ndryshuar, por ky falsifikim provohet nga sistemi i regjistrimit audio të seancës. Nuk ka gjykatë që mund ta konsiderojë të vlefshëm vendimin e dhënë sot nga Apeli”, do të deklaronte Argita Malltezi. Kjo përballje mes tyre ka qenë një maratonë e vërtetë, pasi janë zhvilluar 18 seanca, 14 prej të cilave pretendohet nga Malltezi se janë shtyrë me kërkesa krejtësisht të pathemelta nga ana e Ballës.

Por Balla do të kishte dhe një incident në aeroportin e Romës me Jamarbër Malltezin. Në këtë incident në 25 qershor 2016, ai denoncoi për dhunë fizike dhëndrin e ish-kryeministrit Berisha, Jamarbër Malltezin. Balla ë bëri denoncimin e tij më të mbërritur në Shqipëri, në komisariatin e Rinasit  me akuzën “goditje për shkak të detyrës”. Në denoncimin e bërë në polici, deputeti socialist deklaroi se është goditur me grushte dhe shkelma nga Malltezi, teksa ai priste avionin në Aeroportin “Da Vinçi” në Romë. Madje, sipas tij, prezente ishte edhe bashkëshortja e tij, Argita.

“Malltezi ka ushtruar dhunë fizike ndaj meje. Dhuna ndodhi teksa prisja avionin në aeroportin  “Da Vinçi”. Më ka qëlluar me grushte e shkelma. Kur ndodhi ngjarja unë isha vetëm, ndërsa Malltezi ishte me gruan, Argitën”, mësohet të ketë thënë para oficerëve të policisë Balla. Por Malltezi u shpreh se socialisti e kishte provokuar, ndërsa në dëshminë e dhënë në polici e kishte mohuar se e kishte goditur. Prokuroria më pas e pushoi këtë çështje.

Konflikti mes Ballës dhe djalit të ish-kryeministrit do të vijonte edhe në vitin 2018, kësaj radhe në lidhje me privatizimin e OSHE, ku socialistët në pushtet ngritën edhe një komision hetimor parlamentar.

Shkëlzen Berisha, duke dale nga Gjykata e Krimeve të Rënda, pas një seance në të cilën ai ka paditur për shpifje deputetin socialist, Taulant Balla. 

Dosja e CEZ e shqyrtuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli moskompetencën për shqyrtimin e padisë që Shkëlzen Berisha ka bërë ndaj kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Djali i ish-kryeministrit paditi për shpifje Ballën lidhur me mospagimin e taksave gjatë viteve 2009-2011. Pas daljes nga Gjykata e Krimeve të Rënda djali i ish-kryeministrit Berisha akuzoi deputetin socialist se fshihet pas imunitetit.

Nga ana e tij kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste i bëri thirrje prokurorisë që të hetojë me seriozitet atë që ai e quan aferën e privatizimit të CEZ, me një dëm sipas Ballës prej 414 mln eurosh. Pas kësaj afere, sipas socialistëve, qëndron djali i ish-kryeministri Sali Berisha, Shkëlzen Berisha.

Pas daljes nga Gjykata e Krimeve të Rënda Taulant Balla do të deklaronte: “Ditën për diell ka tërhequr 6.8 mln euro, para të vërtetuara që kanë qenë pagesë komisioni. E thënë shqip, pagesë sekseri për një privatizim më i dështuari dhe më i rëndi për shpinën e varfër të shqiptarëve, 414 mln euro dëmi i shkaktuar shqiptarëve!”.

Pasi dëgjoi palët Gjykata vendosi kthimin në Gjykatën e Lartë, e cila do të vendosë se kush do ta gjykojë dosjen.

Vendimet e gjyqeve kanë shërbyer edhe si betejë në Parlament. Ish-kryeministri Sali Berisha do të refuzonte të dëshmonte në komisionin hetimor parlamentar për privatizimin e CEZ, me argumentin se kryekomisioneri Taulant Balla ishte dënuar për shpifje. Ai nxori një vendim të Gjykatës së Apelit ku Balla ishte dënuar me 1 milionë lekë të reja për shpifje.

Vendimi i Gjykatës i shpallur nga Berisha për median ku Balla detyrohet të dëmshpërblejë djalin e tij me shumën 1 milionë lekë

Të gjitha këto përplasje politike vijojnë sërish me Ballën, ndërsa tani socialisti nuk e ka betejën vetëm me Berishën, por edhe me kryedemokratin Lulzim Basha, të cilin së fundmi e ka paditur për shpifje, pas kapjes në portin e Durrësit të disa miliona eurove të fshehura në dy makina "Toyota Yaris". Lideri i opozitës akuzon se personat e ndaluar kishin lidhje me Taulant Ballën.

Ndërsa përplasja më e fundit me Ballës dhe Berishës është për një video të postuar nga ish-kryeministri ku pretendohet se zyrtari i lartë socialist ka dalë në takime në fushatë me Maksi Beço, të arrestuar ne vitin 2015 nga policia për kokainë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë