Politike

Balla-Prokurorisë: Mos pusho çështjen CEZ! Berisha i kujton trafikantin

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, pas përballjes me Shkëlzen Berishën në seancën e sotme gjyqësore, i ka bërë thirrje Prokurorisë së Tiranës që të mos përdorë makinacione për të pushuar çështjen në ngarkim të tij, Sali Berishës dhe Ndue Kalaj për privatizimin e OSSH.
“I bëj thirrje Prokurorisë së Tiranës dhe gjykatës që mos përdorë makinacione për ta pushuar çështjen në ngarkim të Sali Berishës, Nuel Kalajt, Shkëlzen Berishës etj., për të cilët ne kemi bërë një kallëzim penal.
Unë i qëndroj akuzës së bërë, se qytetarët shqiptarë kanë humbur 419 mln euro nga privatizimi i OSSHE te CEZ.
Dua ta përdor këtë moment për t’i bërë një thirrje prokurorisë që të vijojë hetimet dhe me shpresën e gjithë shqiptarëve që SPAK ngrihet së shpejti, le të jetë kjo një prej dosjeve që t’i vihet në dispozicion SPAK”, u shpreh Balla.
Nga ana tjetër, Shkëlzen Berisha u shpreh i bindur në dënimin e Ballës, ndërsa konsideroi ironik faktin që në kohën kur e akuzonte, ai udhëtonte me një trafikant droge.
“Taulanti doli me tezën që ishte urdhri i partisë për të gënjyer përgjatë komisionit hetimor parlamentar. Nuk dha asnjë provë për të vërtetuar shpifjen për evazionin fiskal që pretendon. U përpoq të rikthente vëmendjen te komisioni i dështuar hetimor parlamentar që ai e udhëhiqte. Ironia është që në atë periudhë i pandehuri më akuzonte mua për udhëtime ose për lidhje me persona që unë nuk kisha asnjë kontakt. Kanë kaluar 2 vjet dhe nuk kanë provuar asnjë lidhje të vetme. Është ironike sepse në atë periudhë, kryetari parlamentar i PS, sekretari i përgjithshëm i PS, udhëtonte me një trafikant droge nëpër resorte, nëpër destinacione turistike të Europës. Ky trafikant droge, Edmond Bego ka fituar 6 mln euro nga entet shtetërore. Jo vetëm i ka fituar, por i ka fituar duke mos pasur të drejtë të marrë pjesë në garë sepse ka qenë i dënuar për trafik droge”, tha ndër të tjera Shkëlzen Berisha.
Hetimet mbi çështjen “CEZ” mbahen peng nga dëshmia e biznesmenit kosovar, Nue Kalaj. Përmes një letërporosie autoritetet kosovare informojnë prokurorinë shqiptare se kërkimet policore për gjetjen e Kalajt nuk kanë dhënë rezultat. Për këtë arsye nuk është bërë e mundur pyetja e tij për llogari të çështjes hetimore që po zhvillohet në Shqipëri. Në kushtet kur dëshmia e Nue Kalaj, njeriut të konsideruar nga socialistët si sekser në procesin e privatizimit të OST nga kompania çeke CEZ, konsiderohet si provë kyçe për t’i dhënë zgjidhje çështjes, Prokuroria ka vështirësi për të dalë në vendimmarrje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë