Politike

Balla: Ligji i ri i prefektit rrit efikasitetin, Çupi: Nisma më qesharake deri më sot

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, deklaroi në Parlament se shtesat në ligjin për prefektin, synojnë një ridimensionim të rolit të tij në misionin e tij ashtu edhe në kompetenca. Nga ana tjetër, deputetja e PD-së, Dhurata Çupi argumentoi se prefektura është institucion i dështuar dhe duhet të shfuqizohet.

Madje, këtë projektligj Çupi e konsideroi si ndër më qesharakun ndonjëherë.

“Domosdoshmëria për këto ndryshime erdhi si nevojë për të rritur efiçencën dhe përforcimin e rolit të prefektit”, deklaroi Balla.

Por këto ndryshime, nënvizoi ministri, “nuk ndikojnë në vetëqeverisjen lokale”.

Tjetër shtesë e cila u diskutua ishte edhe ngritja e këshillave vendor të sigurisë publike. Në këtë pikë, sipas ministrit, i vihet rëndësia rolit të prefektit që të ndërlidhet me Ministrinë e Mbrojtjes për situata te vështira në raste të emergjencave civile.

Sipas Çupit, institucioni i prefektit është kthyer në një pozicion pensionistësh dhe se nuk e kryejnë detyrën e tyre.

“Nuk mundet që prefekti të detyrojë bashkinë që të ngrejë grupe pune apo të këshillave vendor, sepse kjo do të bënte të mundur kontrollin e bashkisë nga qeveria”, vijoi deputetja.

Institucioni i prefekturës, nënvizoi Çupi duhet të shfuqizohet që sot dhe jo t’i jepen kompetenca “me shtesa të kota”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë