Politike

Balla: Do ketë procedime të nivelit të lartë, nuk bëjmë përjashtim nga Rumania apo Kroacia

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha në Kuvend se Shqipëria nuk do të bëjë përjashtime nga vendet e tjera si Rumania apo Kroacia kur bëhet fjalë për procedime të nivelit të lartë në politikë.

 “Sa i takon procedimeve të nivelit të lartë, politikanëve, as Shqipëria nuk do bëjë përjashtim nga vendet e tjera që kanë kaluar në këtë proces si Rumania e Kroacia.

Mund t’ju jap vetëm një shifër, mos shkofshim deri aty po pse jo, para 7-8 vitesh në Rumani ishin të dënuar nga kryeministra tek ministra, nga senatorë e deputetë me një numër të konsiderueshëm.

Edhe në Shqipëri në fakt se ne gjithmonë i kalojmë, ka ish-ministra në dyert e gjykatave, ka prokurorë të përgjithshëm që janë dënuar në një shkallë të gjyqësorit apo dhe në shkallën e parë të gjyqësorit, dhe natyrshëm që është proces që do vijojë. E rëndësishme është që kemi garantuar gjënë më të rëndësishme, koha kur politika emëronte apo kishte kompetenca në emërtesa ka përfunduar një herë e përgjithmonë”, tha Balla në Kuvend.

Duke iu referuar raportimeve në Parlament të Prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela dhe kreut të SPAK, Arben Kraja, Balla tha se ato janë tregues për pavarësinë që kanë këto institucione.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë