Politike

Balla: Basha orkestrues i dhunës opozitare, shmangu Prokurorinë

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi në foltoren e Kuvendit se kurrë më parë nuk janë goditur deputetë e policë me urdhra të krerëve të partisë.
“Do të doja nga kjo foltore t’i drejtohesha personalisht Bashës si nxitësi dhe orkestruesi kryesor i dhunës opozitare sot në Kuvend. Kushdo e mbështet, thjesht vetëm se largon vendin nga Europa dhe nxit destabilitetin në vend edhe sot teksa deputetë e policë mund të goditen nga urdhrat qorre të Bashës. Shqiptarët nuk kanë parë kurrë lider të opozitës që të bëjë thirrje për të goditur forcat e rendit, institucionet, që me urdhra të goditen deputete, asnjë herë më parë nuk janë goditur deputete me urdhra të kryetarëve të partive. Ajo që dua të ndaj me ju sot, Basha po sillet si huligan në ndeshje futbolli, dhe djegia e mandatit po jua them nuk është fare humbje për demokracinë pasi politikanë të papërgjegjshëm si puna e Bashës as nuk e meritojnë besimin e shqiptarëve dhe as të jenë në Kuvend”, u shpreh Balla.
Po ashtu, Balla e cilësoi të paprecedentë faktin që kreu i PD-së, Lulzim Basha nuk u paraqit sot në Prokurori.
“Kryetari i PD refuzoi sot të shkonte në Prokurori. E kanë hallin tek reforma në drejtësi thoshim ne ndaj po i lënë mandatet, por një pjesë e atyre që paguhen për këtë punë thanë ç’lidhje ka kjo. Sot Lulzim Basha refuzoi të paraqitet në prokurori. Ky është rasti i parë se si kryetari i opozitës që la mandatin për interesat e vendit tregoi qartë që nuk respekton detyrimin që ka si qytetar”, vijoi ai.
Ndërkohë, kreu i PD-së, Lulzim Basha, me anë të një letre i përgjigjet Prokurorisë së Tiranës duke i shprehur i habitur nga thirrja dhe e ka quajtur kërkesën si të panevojshme, të pambështetur në ligj dhe të pambështetur në asnjë standard profesional dhe etik të hetimit.
Balla ka folur sot sërish për dialog me opozitën, por kësaj here iu referua opozitarëve të rinj në sallë. Ai madje i ftoi në një tryezë për Kodin Zgjedhor.
“Të dialogojmë me deputetët e rinj të opozitës. I ftoj në një tryezë të rëndësishme për sa i përket Kodit Zgjedhor. Duhet ta miratojmë Kodin Zgjedhor. Dialog me PD e LSI do të doja të ftoja së shpejti në tryezë të rëndësishme sa i përket Kodit Zgjedhor”, u shpreh Balla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë