Politike

Sulm me gurë qendrës shëndetësore, PS: Nxitur nga gjuha e Bashës! PD: Sajesë!

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla denoncoi këtë të shtunë sulmin me gurë ndaj një qendre shëndetësore në qytetin e Elbasanit.

Në postimin e tij, të shoqëruar edhe me nje video nga vendi i ngjarjes, Balla thotë se këto sulme frymëzohen nga Lulzim Basha.

“Është sulmuar me gurë Qendra e re Shëndetësore në Fushë-Mbret në Elbasan. Keqardhje se si politikanët e së keqes po frymëzojnë një klimë negative ndaj bluzave të bardha. Lulzim Basha nuk paska as turp, as nder, as respekt dhe as kufij moralë. Të bësh politikë me vdekjen dhe të sulmosh sot mjekët, infermeieret, stafet mjekësore është një turp që Lulit dhe sojit të tij, nuk do t’i harrohet”, shkruan Balla.

Edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu e ka denoncuar këtë rast si të nxitur nga gjuha e urrejtjes që po përdor opozita ndaj mjekëve.

“Gurët e hedhur sot mbi qendrën shëndetësore në Lagjen Skënderbej në Elbasan, të cilën vetëm pak muaj më parë e rindërtuam me standardet më të mira pas braktisjes prej 4 dekadash, janë një akt agresioni kundër institucioneve jetëshpëtuese, të frymëzuar prej gjuhës së palogjikshme të urrejtjes, që po përdoret këto kohë kundër bluzave të bardha”, tha ajo.

Pas këtyre deklaratave ka reaguar Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Ai publikon një fotomontazh të Taulant Ballës nga qendra shëndetësore e sulmuar, së bashku me një mesazh në WhatsApp në atë që duket si grupi për median i Policisë së Elbasanit.

Bardhi thotë se Balla u përdor sërish nga Edi Rama për të trilluar një histori për të sulmuar Lulzim Bashën.

“Edhe një herë Rama vazhdon të luajë politikisht me jetën e shqiptarëve. Ai dërgoi Taulant Ballen për të krijuar një histori të re të rreme për të sulmuar Lulzim Bashën, sepse ende nuk ka një pergjigje për fshehjen e numrit të vdekjeve të shkaktuara nga pandemia”, shkruan Sekretari i Përgjithshëm i PD.

Sipas opozitës, të gjithë këto histori janë përpjekje të Edi Ramës për të larguar vëmendjen nga e vërteta e pasojave tragjike të Covid në vend.

Ne përsërisim thirrjen ndaj prokurorisë të nisë hetimet për fshehjen dhe manipulimin e të dhënave për numrin e të vdekurve nga Covid-19. Kjo nuk është një çështje politike, por është një çështje thelbesore për të gjithë shqiptarët. Populli shqiptar e ka aftësinë të mos bjerë pre e manipulimeve të Edi Ramës”, mbyll reagimin e tij, Gazment Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë