Politike

Balla, apel opozitës: Ejani në Kuvend për Kodin Zgjedhor

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një prononcim për mediat nga Kryesia e Kuvendit i ka bërë apel opozitës të rikthehet në Kuvend për të bërë të gjitha ndryshimet e nevojshme për Kodin e ri Zgjedhor.
“Apeli im është që PD një orë e më parë të vijë në Kuvendin e Shqipërisë. Ne kemi zgjatur ditët e punës për Komisionin e Reformës Zgjedhore. Komunikimi më i fundit me opozitën ka qenë pak ditë më parë në Konferencën e Kryetarëve. Në seancën e fundit, kryeministri e preku rëndësinë që ka bashkëpunimi për reformën. Ky semestër i parë i 2019 është një semestër i rëndësishëm për axhendën tonë të integrimit”, shprehet Balla.
Balla u shpreh se PD duhet të depozitojë propozimet për anëtarë të KQZ si partia më e madhe e opozitës.
“Së pari, ne presim që PD të depozitojë në Kuvend dy anëtarët për KQZ, i takojnë partisë më të madhe në opozitë dhe PD ka detyrimin institucional që të depozitojë kandidaturat përkatëse. Opozita nuk mund të bojkotojë në këtë moment të rëndësishëm”, deklaroi Balla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë