Futboll

Bajrami më i miri i ndeshjes për Sasuolon me gol dhe asist, luan edhe Kumbulla

Gazeta Si - Në ndeshjen hapëse të javës së 31-të të Serisë A, Salernitana dhe Sasuolo barazuan 2-2, me të dyja skuadrat që mbeten në zonën e rënies nga kategoria.

Protagonist në këtë ndeshje ishte fantazisti i Kombëtares shqiptare, Nedim Bajrami. Ai dha asistin e golit të parë, duke e nxjerrë Laurienté përballë portierit kundërshtar, kurse 7 minuta më pas shënoi edhe golin e dytë për Sasuolon. Salernitana reagoi në pjesën e dytë dhe barazoi shifrat në fund.

Bajrami ishte lojtari më i mirë i ndeshjes. Ai u vlerësua me notën 7.5 për paraqitjen e bërë deri në momentin e zëvendësimit çerek ore para fundit. Një ndeshje vërtet shumë e mirë për mesfushorin kuqezi.

Në mesin e pjesës së dytë u aktivizua edhe mbrojtësi Marash Kumbulla, i vlerësuar me notën 6 për atë që bëri në pak më shumë se 20 minuta lojë. Sasuolo shpërdoroi një avantazh të dyfishtë dhe mbetet në vend të parafundit, me 25 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë