Futboll

Bajerni shpallet kampion për herë të 9–të radhazi, shton edhe yllin e 5-të

Një tjetër yll për kampionët. Bajerni i Mynihut ka fituar titullin në Bundesligë për herë të 9-të radhazi, pas humbjes 3-2 të Lajpcigut në Dortmund. Bavarezët e kanë siguruar kështu matematikisht titullin kampion para se të shpartallonin 6-0 Borusia Mënshegladbah.

Për Bajernin është titulli i 31-të në histori dhe i 30-ti që kur është themeluar Bundesliga, një arritje kjo që i lejon bavarezët të shtojnë edhe yllin e 5-të. Bajerni ka pasur një ecuri të jashtëzakonshme në 10-vjeçarët e fundit. Nga 1995-a e deri më sot, në 23 raste nga 26 ka dalë i pari ose i dyti në kampionat.

Bajerni duke festuar një gol. Gazeta Si, 8 maj 2021

Merkatoja e fundit verore, për shkak të Koronavirusit, nuk ishte e kënaqshme për Bajernin, mori vetëm Sane dhe Douglas Kostën, megjithatë arriti ta dominojë kampionatin nga fillimi në fund. Për Tomas Mylerin dhe David Alabën është titulli i 10-të i fituar në Bundesligë. Ata kanë kaluar kështu Riberi (i arritur tashmë nga Nojer) për titujt e fituar. Askush nuk ka fituar më parë më shumë se ata.

Janë 5 futbollistët e Bajernit që kanë koleksionuar të paktën një prezencë në 9 kampionatet radhazi të fituar nga bavarezët: Alaba, Boateng, Martinez, Myler dhe Nojer. Interesant është fakti se Bajerni ka fituar vetëm 1 nga 15 titujt e fundit në stadiumin e tij. Shpresonte ta bënte sot, por humbja e Lajpcigut ia hoqi këtë mundësi. Me titullin e sotëm përfundon edhe një erë, me Alabën, Boateng dhe Martinez që lënë klubin bavarez.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë