Futboll

Bajerni me një dorë te titulli, bavarezët janë makineri golash

Një tjetër hap drejt titullit. Bajern Mynih ka triumfuar 2-4 në fushën e Bajer Leverkusen dhe bavarezët mund të sigurojnë titullin (i teti radhazi) fundjavën e ardhshme, kur do të presin në shtëpi Borusia Mënshengladbah. Skuadra e drejtuar nga trajneri Flik është 7 pikë para vendit të dytë dhe një fitore e mundshme të shtunën e ardhshme, do të thotë matematikisht kampione e Bundesligës.

Golat për Bajernin u shënuan nga Koman, Goretzka, Gnabri dhe Levandozski, me polakun që ngjitet në kuotën e 30 golave dhe është favorit kryesor për “Këpucën e Artë”. Trajneri Flik këtë herë kishte zgjedhur që të aktivizonte Komanin dhe Gnabrin nga krahët në sulm, ndërsa Mylerin pas Levandovskit. Bajerni i tij është një makineri golash. Golat e Alario dhe Uirtz i kanë shërbyer Bajer Leverkusenit sa për statistikë. Para ndeshjes, gjatë nxemjes, lojtarët e Bajernit mbanin veshur fanella kundër racizmit, në mbështetje të lëvizjes kundër diskriminimit të afro-amerikanëve. Edhe në Dortmund lojtarët e dy skuadrave qëndruan një minutë në gjunjë, në shenjë proteste ndaj diskriminimit racor.

Lojtarët e Borusias dhe Herthës në gjunjë, mesazh kundër diskriminimit. Gazeta Si, 6 qershor 2020

Borusia Dortmund e vendit të dytë mundi minimalisht Herthën e Berlinit, falë një goli të Emre Xhan në pjesën e dytë. Skuadra e Favre ka shkuar në kuotën e 63 pikëve, 7 pikë pas Bajernit. Ka zhgënjyer këtë herë Lajpcigu, që ka barazuar në fushën e vet 1-1 me Paderbornin e Klaus Gjasulës, mesfushorit të Kombëtares shqiptare që edhe këtë herë nuk ka mundur t’i shpëtojë kartonit të verdhë, duke thelluar “rekordin” personal në Gjermani.

Bajerni luajti me shirit në krah, në mbështetje të lëvizjes kundër diskriminimit racor. Gazeta Si, 6 qershor 2020

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë