Futboll

Bajerni i jep besim trajnerit Tuhel pas turpërimit, Nojer dhe Myler të ashpër me ekipin

Gazeta Si – Pas humbjes së thellë në kryendeshjen me Bajer Leverkusen, klubi bavarez ka siguruar se trajneri Tuhel nuk është në diskutim. Tifozët protestojnë, kurse senatorët nuk i kursejnë kritikat për ekipin.

Diçka ka ndryshuar. Në Gjermani në përgjithësi dhe te Bajerni në veçanti. Në Bundesligë nuk po dominojnë më bavarezët, por Leverkuseni. Skuadra e trajnerit Ksabi Alonso nuk humbet prej 31 ndeshjesh radhazi dhe ka 27 fitore dhe 4 barazime.

Për këtë arsye te Bajerni ka reagime më të forta se një vit më parë pas humbjes 3-0 në përballjen direkte. Në 2023-shin, pas humbjes 2-1 u largua trajneri Nagelsman dhe Bajerni ishte në vend të 2-të, -1 nga Borusia Dortmund. Tani, pas humbjes 3-0 ndaj Leverkusen, bavarezët janë -5 nga kreu dhe jashtë kupës.

Trajneri Tomas Tuhel gjithsesi nuk rrezikon shkarkimin. Administratori Dresen është shprehur qartë: "Besimi ynë ndaj trajnerit nuk ndryshon”, - tha ai pas ndeshjes, duke pranuar se Leverkusen e meritoi fitoren.

Por polemikat nuk mungojnë. Tifozët duan shkarkimin e Tuhel. Skuadra nuk bind aspak. Dy nga senatorët e Bajernit, Nojer dhe Myler, kanë folur me tone shumë të ashpra pas humbjes së fundit. "Ishte paraqitja jonë më e keqe dhe për fat të keq e bëmë në ndeshjen më të rëndësishme, - tha kapiteni Nojer. – Bëmë shumë pak dhe secili duhet të reflektojë për gabimet e veta”.

“Leverkusen fitoi me shumë meritë. Problemi është se ne në stërvitje jemi shumë më mirë, kemi kurajë dhe luajmë lirshëm. Në ndeshje na mungojnë bo***. Leverkusen luan futboll thjesht, kurse ne kur kemi presion, nuk gjejmë zgjidhje. Presioni duhet të na japë energji.

Nuk ka gjithmonë një pse në këto raste. Kemi shumë lojtarë me nivel ndërkombëtar, nuk mund të shkojmë kundër trajnerit. Veprojmë gabim kur kemi topin, është fjala për inteligjencë sportive", - u shpreh Tomas Myler.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë