Futboll

Bajerni drejt tripletës, bavarezët fitojnë edhe Kupën e Gjermanisë

Edhe një trofe tjetër i fituar dhe hapi i dytë drejt tripletës. Pas fitimit të titullit kampion në Bundesligë, Bajern Mynih ka fituar edhe Kupën e Gjermanisë, pasi mundi në finale 4-2 Bajer Leverkusenin. Vendimtarë ishin golat e Alabës që në minutën e 16-të dhe Gnabrit në të 24-ën.

Në pjesën e dytë, sulmuesit polak, Robert Levandovksi, ishte autori i një dopiete, ndërsa golat e Bender dhe Havertz patën vetëm vlera statistikore për Leverkusenin. Skuadra e trajnerit Flik e diktoi ndeshjen nga fillimi në fund, edhe pse lojtarët nuk ishin në gjendjen optimale fizike. Bajerni zbriti në fushë me skemën klasike 4-2-3-1, me Koman dhe Gnabri në krahët e sulmit dhe Mylerin pas Levandovskit. Tashmë objektivi i bavarezëve është Liga e Kampionëve.

Për Bajernin ishte finalja e 24-t në Kupën e Gjermanisë, më shumë se çdo skuadër tjetër. Bavarezët e kanë fituar 20 herë këtë trofe, 2 të fundit radhazi. Robert Levandovski ka shënuar golin e 8-të personal në 8 finale të Kupës së Gjermanisë që ka luajtur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë