Futboll

Bajerni dhe Nojer bëjnë paqe, portieri rinovon deri në vitin 2023

Merr fund “lufta e ftohtë” mes drejtuesve të Bajern Mynih dhe portierit gjerman, Manuel Nojer. Pas shumë qëndrimeve kontradiktore, bavarezët u kanë dhënë fund diskutimeve për të ardhmen e Nojer. Faqja zyrtare e klubit gjerman bën të ditur se numri 1 i kombëtares gjermane ka vendosur ta zgjatë kontratën deri në vitin 2023.

“FC Bajern është shumë i lumtur që Manuel Nojer ka rinovuar kontratën deri më 30 qershor 2023”, - shpjegon Karl-Hajnc Rumenige, administratori i Bajernit. Më tej ai vazhdon: “Manuel është portieri më i mirë në botë, është kapiteni ynë”. Kurse Oliver Khan, pjesëtar i këshillit drejtues të klubit bavarez, është shprehur: “Mund ta vë veten në situatën, ku gjendet Manuel. Kemi kuptuar drejtimin që donte të ndiqte portieri ynë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Me rinovimin e tij, ka dhënë një sinjal shumë të qartë”.

Kohët e fundit ka pasur në fakt përplasje në distancë sa i takon rinovimit të kontratës nga Nojer, sepse drejtuesit e klubit kanë menduar edhe për të ardhmen. Ka pasur edhe zëra për një kalim të mundshëm të portierit te Çelsi, por tashmë gjithçka ka marrë formë zyrtare, me Nojerin që mbetet bavarez. Pak kohë më parë ka rinovuar edhe portieri Flik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë