Futboll

Bajerni bie pas 10 muajsh, Siti i Guardiolës “ha” 5 në kampionat

Surprizë në javën e dytë të Bundesligës, Hofenheimi mund 4-1 Bajernin e Mynihut. Kampionët e Gjermanisë dhe të Europës nuk humbnin një ndeshje zyrtare prej dhjetorit të vitit të kaluar. Hofenheimi shënoi 2 gola në 24 minutat e para me Biçakçiç dhe Dabur, Kimish rihapi ndeshjen në pjesën e dytë, por më pas kroati Kramariç realizoi edhe dy gola të tjerë për vendësit.

Nuk mjaftoi futja në fushë në pjesën e dytë e Levandovskit, i cili e nisi nga stoli ndeshjen. Vendin e tij e zuri Zirkze, i cili goditi traversën. Nga stoli e nisi ndeshjen edhe Goretzka, që i la vendin francezit Toliso. Ekipi i fundit që kishte mundur Bajernin është Borusia Mënshengladbah, më 7 dhjetor 2019. Bajerni mbetet në kuotën e 3 pikëve në kampionat, ashtu si Borusia Dortmund, kurse Hofenheimi udhëheq me 6 pikë, bashkë me Augsburgun.

Lojtarët e Mançester Sitit, të dëshpëruar nga humbja e fundit. Gazeta Si, 28 shtator 2020

Një humbje tronditëse ka pësuar Mançester Siti në Angli. Skuadra e Pep Guardiolës u mund 2-5 në fushën e vet nga Leiçesteri, i udhëhequr nga një Vardi i papërmbajtshëm, autor i 3 golave në këtë ndeshje. Siti e nisi ndeshjen në avantazh, me golin e Mahrez, por më pas gjithçka u përmbys dhe kundërshtari shënoi 5 herë. Një ndeshje për t’u harruar për Guardiolën dhe të tijtë. Sot luhet sfida mes Liverpulit dhe Arsenalit.

Në Spanjë, Barcelona ka mundur 4-0 Vilarrealin. Gjithçka është vendosur brenda pjesës së parë nga 2 golat e Ansu Fatit, 1 gol i Mesit dhe një autogol i miqve. Luis Suarez debutoi në mënyrën më të mirë me Atletiko Madrid, teksa në 20 minuta lojë shënoi 2 gola dhe dha një asist në fitoren 6-1 ndaj Granadës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë