Futboll

Bajern-Sevilja, sfidë për trofeun e parë europian para 20 mijë tifozëve

Trofeu i parë i sezonit të ri të kompeticioneve europiane jepet sot në mbrëmje, në Budapest, ku Bajern Mynih dhe Sevilja do të ndeshen për Superkupën e Europës. Për të dyja skuadrat do të ishte Superkupa e dytë në histori, bavarezët e kanë fituar të parën në vitin 2013, kurse spanjollët në vitin 2006. E veçanta është se ndeshja do të zhvillohet në praninë e më shumë se 20000 spektatorëve, duke qenë se UEFA ka vendosur që stadiumi “Puskas Arena” të mbushet deri në masën 30%.

"Pushkash Arena", stadiumi ku do luhet Superkupa e Europës. Gazeta Si, 24 shtator 2020

Flik e ka nisur me “marsh të pestë” kampionatin, mundi 8-0 Shalken javën e parë të Bundesligës, pas tripletës së sezonit të shkuar. Bajerni i tij është kolauduar me skemën 4-2-3-1, me Sane titullar, por tashmë pa Tiago Alkantarën, i cili ka kaluar te Liverpuli dhe në mesfushë luan dyshja Kimish-Goretzka. Në majë të sulmit i zakonshmi Robert Levandovski.

Lopetegui, që mundi Interin në Ligën e Europës, do të debutojë në sezonin e ri me skemën 4-3-3. Fernando në regji dhe në krah të tij Rakitiç, i kthyer nga Barcelona, dhe Xhordan, kurse në sulm De Jong është favorit ndaj En-Nesyri, kurse në krahët e sulmit do të jenë Okampos dhe Suso.

Formacionet e mundshme
Bajern Mynih (4-2-3-1):
Nojer, Pavard, Shyle, Boateng, Davis, Kimish, Goretzka, Gnabri, T.Myler, Sane, Levandovski. Trajner: Flik
Sevilja (4-3-3): Bunou; Jesus Navas, Kounde, Diego Karlos, Eskudero, Rakitiç, Fernando, Xhordan, Okampos, L.De Jong, Suso. Trajner: Lopetegui
Arbitër: Tejlor (Angli)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë