Politike

“Babalja”, “Xhisiela” e Pakti i Detit, Meta komenton gjithçka

Mentor Kasa – Presidenti Ilir Meta e di se një pjesë e gazetarëve dhe qytetarëve e kanë të vështirë që të ambientohen me detyrën e tij të ri si kryetar i shtetit, nisur nga e shkuara e tij tepër aktive në jetën politike e parlamentare si themelues dhe kryetar i LSI-së.

Por, në një intervistë dhënë për “5 Pyetjet nga Babaramo”, Presidenti Meta thotë se kjo nuk e pengon që të ushtrojë me përgjegjshmëri dhe në përputhje me Kushtetutën detyrën e tij. E nisur nga pozicioni që ka, lidhur me ngjarjet e sherret e përditshme mes mazhorancës dhe opozitës, përfshirë këtu rastet “Babale” dhe “Xhisiela”, Ilir Meta nuk mund të flasë shumë, por kërkon nga qeveria më shumë transparencë dhe nga opozita më shumë racionalitet.

“Në rast se nga ana e qeverisë do të ketë reagime më të shpejta, për rastet kur ka shqetësime, denoncime nga qytetarët, ngjarje kriminale, pra kur del dikush përpara përgjegjësisë në kohën e duhur, atëhere lihet më pak hapësirë për opozitën apo për opinionin dyshues. Së dyti, është tepër e rëndësishme që edhe opozita të jetë racionale, që do të thotë se nismat apo edhe denoncimet të saj të jenë sa më të mirëfaktuara, me qëllim goditjen e këtyre dukurive, parandalimin e tyre, dhe jo thjesht zgjedhjen e tyre si një mënyrë për të dëmtuar qeverinë apo institucionet, te të cilët ajo nuk ka besim”, deklaron ai.

Presidenti Meta thotë se e ka marrë letrën e ish-oficerit të Policisë, Emiljano Nuhu. Ai kërkon që nëse ka pasur ngurrim në marrjen e denoncimit të Xhisiela Malokut duhet të hetohet dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë, e po ashtu edhe nëse ka patur një kërcënim ndaj oficerit të policisë në ushtrimin e detyrës së tij.

“Kjo letër ka mbërritur në tavolinën time vetëm një ose dy ditë para se unë të nisesha për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe janë kërkuar të gjithë sqarimet – dhe ky është një proces që vazhdon – lidhur me çështjen në fjalë. Sqarimi i saj në mënyrë të plotë dhe të besueshme do të kontribuojë në rritjen e besimit te këto institucione, por edhe në mospërsëritjen e ngjarjeve të tilla. Në rast se qytetarja ka qenë e detyruar, sipas opinionit publik, të bëjë disa denoncime në institucione të ndryshme të Policisë, atëherë është e rëndësishme të bëhet një analizë përse ka ndodhur kjo gjë. Mjafton një qytetar të bëjë denoncimin në stacionin më të afërt të Policisë dhe ai duhet të hetohet me përgjegjësi. Apo në rast se oficeri në fjalë ka kërkuar mbrojtje pasi është kërcënuar dhe një mbrojtje e tillë nuk i është dhënë, atëherë këtu përsëri duhet ndaluar se përse kjo gjë nuk ka ndodhur dhe personat përgjegjës duhet të vihen para përgjegjësisë”, deklaron kreu i shtetit.

Në lidhje me sigurinë publike, si palë mbi palët, Presidenti nuk ndan qëndrimin e opozitës, por as atë të Kryeministrit Edi Rama.

“Më e rëndësishme është ajo që mendojnë qytetarët. Kuptohet që na duhet shumë punë për të pasur besim edhe më të fortë te institucionet ligjzbatuese, pasi nuk është ndonjë gjë e re ta them se në zona të caktuara të vendit ndihet shqetësimi i qytetarëve apo sipërmarrësve përsa i takon garancisë te funksionimi i shtetit ligjor në raport me ‘të fortët’ apo me njerëzit e krimit”, thotë Meta.

Presidenti refuzon të flasë me emra konkretë për çështjen Babale, por i qëndron besnik pozicionit duke kërkuar e shpresuar se e gjithë amullia politike e videopërgjimeve për këtë rast të zbardhet nga drejtësia në mënyrë të drejtë e të paanshme.

Albert Veliu ne intervisten dhene mbremjen e se henes nga Open ne Top Channel, ku tha se i qendron deshmise kunder Agron Xhafajt, vellait te ministrit te Brendshem, Fatmir Xhafaj

“Këto janë çështje në proces dhe shpresojmë që edhe Prokuroria, edhe Policia e Shtetit, edhe institucionet e tjera të cilat janë të përfshira në hetimin e këtyre çështjeve të mos kenë asnjë ndikim politik dhe të japin vendime të drejta dhe transparente, cilado qoftë kostoja e tyre, pavarësisht se kush mund të preket apo cenohet, sepse kjo do të rriste kredibilitetin e këtyre institucioneve dhe së dyti, do të jepte mesazhe tepër pozitive për qytetarët për funksionimin e shtetit ligjor, njëkohësisht edhe mesazhe të qarta për të gjithë ata persona politikë apo pranë politikës të cilët dëshirojnë të kenë një pozicion të privilegjuar në raport me qytetarët e tjerë”, u shpreh ai.

Sa i takon reformës në drejtësi, Presidenti Meta këmbëngul në qëndrimin se urgjente është ngritja e Gjykatës Kushtetuese funksionale dhe suksesin e saj e lidh plotësisht me qëndrimin brenda kornizave të përcaktuara nga rekomandimet e Venecias.

“Më problematike është fakti që nuk kemi Gjykatë Kushtetuese funksionale, sepse një vend që nuk ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale pothuajse nuk ka Kushtetutë, në kuptimin e garancisë së zbatimit dhe respektimit të të drejtave kushtetuese.me ligjin. Kjo është një reformë që mund të jetë e suksesshme duke u zbatuar vetëm në frymën e ndryshimeve kushtetuese, që kishin bazën e tyre opinionin e Venecias, një institucion i gjithëpranuar nga të gjithë forcat politike shqiptare në këto gati tre dekada”, shprehet Presidenti.

Kryetari i PD, Lulzim Basha, duke folur gjate nje tryeze, per domosdoshmerine e vettingut ne politike. Foto LSA

Një koment e dha edhe për nismën e opozitës, për vettingun në politikë, duke ruajtur linjën e shprehur përgjithësisht nga ambasadorët ndërkombëtarë në Tiranë.

“Çdo vetting tjetër do të ishte i tepërt në kuptimin e ngjashmërisë me këtë proces, pasi cilido që do të rezultonte me probleme të ligjit apo të abuzimit me detyrën, do të kishte të bënte me një drejtësi me integritet, me një drejtësi të besueshme dhe me një drejtësi ndëshkuese”, mendon Meta.

Presidenti komentoi përplasjen me Kuvendin për ligjin e Teatrit, të cilin e ka refuzuar sërish. Thotë se kur e ktheu për herë të parë gjeti më shumë se 9 shkelje, por nënvizoi vetëm 9 të tilla për të qenë me racional. Në rastin e dytë, thotë se ndonëse Kuvendi i njohur vërejtjet e tij, sërish nuk i reflektoi plotësisht ato në ndryshimet e ligjit.

“Parlamenti kishte bërë një përpjekje për të reflektuar, por përsëri dukej qartë nga ana kushtetuese që kishte disa kushte të pashpallura që favorizonin një apo disa subjekte të caktuara, që mund të kishin marrëveshje me pronarët në atë zonë dhe kjo cenonte apo diskriminonte të gjitha subjektet e tjera që mund të kishin idetë e tyre dhe projektet e tyre për ta zhvilluar atë zonë më në interes të publikut sesa të parët”, u shpreh ai.

Për skemën partneritet publik-privat të Qeverisë u referohet raporoteve të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

“Është e rëndësishme të dëgjohen edhe shqetësimet e Bankës Botërore, shqetësimet Fondit Monetar Ndërkombëtar. Këto janë institucione tepër të besueshme dhe që nuk kanë asnjë interes përveç stabilitetit të Shqipërisë dhe përmirësimit të performancës së saj makro-ekonomike”, deklaron Meta.

Qeveria thote se nga 1 janari kazinote zhvendosen larg zonave te banuara, ndersa bastet sportive, ato me gara mbyllen fare. Bastet sportive do te lejohen vetem ne distance (online)

Lidhur me ligjin për lojërat e fatit, Presidenti kërkon që të mbahet një qëndrim së pari në përputhje me Kushtetutën dhe së dyti në interes të publikut. Ai premton se nëse vëren në ligjin e ri se cenohet Kushtetuta, ose interesi i publikut, nuk do të dekretojë ligjin.

“Qeveria dhe Parlamenti kanë përgjegjësinë e tyre për të gjetur rrugët më të mira në këtë drejtim, pasi unë mendoj që të gjithë ne në këtë vend duhet të vrasim mendjen si do të zhvillojmë më shumë turizmin, bujqësinë, agro-turizmin, sepse nga favorizimi i këtyre sektorëve varet e ardhmja ekonomike e shumicës së familjeve shqiptare, në mënyrë të drejtpërdrejtë, por edhe në mënyrë indirekte”, u shpreh ai.

Presidenti nuk e fsheh nostalgjinë për përbërjen e Parlamentit të parë pluralist, ndërsa thotë se në tërësi nevoja për të përmirësuar standardin e përfaqësimit në çdo zyrë e institucion është me tepër rëndësi.

Sa i takon paketës antishpifje të Kryeministrit Rama, Ilir Meta thotë se nuk ka asgjë konkrete, por për të mund të shprehet vetëm përmes aktit, duke e dekretuar, ose jo ligjin.

Një tjetër temë delikate që ceku kreu i shtetit ishte marrëveshja me Greqinë. Në Tiranë dhe Athinë po diskutohet së fundmi se nënshkrimi i aktit final po bllokohet pikërisht nga Ilir Meta. Presidenti e konfirmoi tërthorazi këtë, duke e lidhur marrëveshjen me Gjykatën Kushtetuese.

“Unë e kam theksuar se është shumë e rëndësishme dhe domosdoshme për hir të ndjeshmërisë së kësaj çështje dhe të vetë arsyeve, për të cilat kjo marrëveshje nuk u ratifikua nga Parlamenti i kaluar, që në momentin e miratimit në Parlament, të kemi funksionale Gjykatën Kushtetuese”, deklaron ai.

Meta i mbetet besnik qëndrimit të tij për mosndarje të Kosovës dhe flet me bindje se edhe ideja e e Presidentit Thaçi nuk është ndarja, por korrigjimi i kufijve. Për situatën në Maqedoni është më i shqetësuar. Thotë se mosrealizimi i paktit me Greqinë do të çonte në një polarizim të skajshëm të jetës politike atje.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë