Lajme

“Babalja”, të gjithë nën akuzë për kallëzim të rremë

Po shkon drejt gjykimit skandali ku u përfshi edhe vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Të pandehur do të jenë deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i mbiquajturi “Babale”, Albert Veliu, gazetari Jetmir Olldashi dhe personi që akuzohet se imitoi zërin e Agron Xhafajt, Fredi Alizoti.
Prokuroria i ka komunikuar akuzën gazetarit Jetmir Olldashi, ndërsa Fredi Alizotit ia komunikoi në burg.
Shkojnë në gjykim Fredi Alizoti, Ervin Salianji, Albert veliu dhe Jetmir Olldashi, që të katërt nën akuzë për kallëzim të rremë.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka deklaruar se është marrë si i pandehur se ka denoncuar trafikantët e drogës me gjithë gazetarin Jetmir Olldashi. Kur ka dalë nga Prokuroria e Tiranës për çështjen “Babale”, Salianji ka thënë se pasi të njihet me dosjen, akuzat e ngritura do të bien në gjykatë.
“Do ta vazhdojmë procesin, pasi do njihem me akuzat. Jam marrë si i pandehur se denoncova trafikantin. E gjithë kjo gjë do rrëzohet në gjykatë. Sapo të njihem me aktet e dosjes, do ketë të reja. Kjo është një mënyrë e turpshme nga ana e Prokurorisë, pasi marrja e një gazetari si të pandehur dhe vendosja nën akuzë se ka zbuluar trafikantët, duke treguar me video trafikun e drogës në Vlorë, jo vetëm është e papranueshme, por është në tejkalim të shtetit të së drejtës”, tha ai.
“Unë akuzohem për agjitacion në bashkëpunim me gazetarin Jetmir Olldashi, por ju them se frika nuk hyn në ndjesitë e mia. Rasti i Geron Xhafajt në lehtësimin e akuzave të trafikut të drogës është një gjë që dihet. Të gjitha shërbimet në vend dhe ato të huaja, kanë qenë në ndjekje të tij, ndërkohë që e kapëm ne para tyre”, tha Salianji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë