Politike

“Babalja” konspiracion? Basha: Rama, si Enver Hoxha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha iu përgjigj akuzave të kryeministrit Rama se audiopërgjimi "Babalja" ishte një konspiracion për rrëzimin e qeverisë. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, kryedemokrati e ka cilësuar deklaratën e kryeministrit si një metodë enveriste për të gjetur armiq.

“Tani në këtë moment ku është, e vetmja që kontrollon Edi Rama është godina e kryeministrisë. Ka humbur çdo kontroll mbi territorin, ka humbur çdo kontroll mbi qeverisjen. Ka përqafuar metodën enveriste të konspiracioneve. E dëgjuat si tha sot: Ne! Kush ne?! Ti je ekzekutivi, ka Parlament, ka Prokurori. Kush ne? Shteti dhe partia!? Do të zbulojmë konspiracionin. Shumica prej jush mbase jeni të rinj, por kjo ishte mënyra Enveriste. Sa herë që kishte një skandal apo një problem, zbulohej konspiracion. Ky tani shikoni ku ka degjeneruar, ku ka banalizuar, ku ka arritur mendja e tij, nuk arrin më të pjesë imagjinata e tij as diçka ‘fine’. Ka kaluar në të njëjtin  fjalor si në kohën e Enver Hoxhës: ka zbuluar konspiracione nga opozita, për të rrëzuar pushtetin popullor! Vetëm një mendje e sëmurë mund të ketë një imagjinatë të tillë banale që të paraqesë situatën kriminale dhe lidhjet kriminale të pushtetarëve, si konspiracion, njësoj si në kohën e Enver Hoxhës”, deklaroi Basha.

Më tej ai vijoi se këto qëndrime të kryeministrit si ngjajnë si një teatër, ku “del Edi Rama e thotë: Xhisiela tentoi të vetëdigjej. Dëshmitari u vetofrua, u vetëdenoncua, u vetëakuzua. Agron Xhafaj u vetëburgos. Shoferi i fatmir Xhafës u vetëvra me dy plumba. Pse? Sepse tani askush nuk ka më asnjë dyshim, për lidhjet e Edi Ramës me krimin e organizuar”.

Çështja “Babale” dhe “Xhisiela” ishin në fokusin e kësaj konference shtypi e kryedemokratit Basha, i cili theksoi se prokuroria është kthyer në një celulë kriminale në shërbim të maxhorancës.

“Është në emër të krimit dhe në mbrojtje të krimit që Rama ka shkatërruar policinë dhe prokurorinë dhe kërcënon se nuk do ju ndahemi  hap pas hapi. Ia thotë gazetarit, policit, opozitës etj. Këtë e bën  vetëm për të mbrojtur krimin dhe kriminelin. Është fakt se Edi Rama nuk ka denoncuar asnjë kriminel, përkundrazi i ka mbrojtur politikisht dhe publikisht. Kjo është faza e fundit e degradimit të shtetit”, theksoi Basha.

Lideri i opozitës dha qëndrimin e tij edhe në lidhje me ngjarjen e ndodhur në 4 tetor në zonën e ish-Bllok, duke hedhur poshtë tezën për ngjarje banale, por për trafik droge, duke përfshirë në këtë një histori të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.


“Ngjarja e fundit në Tiranë që na u shit për 4 ditë si përplasje për një këngëtare, është zbuluar që është përplasje për pazare droge ku janë të përfshirë trafikantë të njohur dhe të dokumentuar me lidhje me pushtetin. E mbani mend kur Saimir Tahiri u nis për në Gjermani, pasi ia kthyen pasaportën? E dini me kë ishte në Gjermani? Me këtë Matën e përfshirë në lokal në goditjen me armë mes bandave. Ku ka ndodhur kjo? Në një lokal të preferuar të Arben Ahmetajt dhe të ministrave dhe deputetëve të tjerë, në zemër të Tiranës, në qendër të Tiranës, tek Blloku, aty ku kalojnë fëmijët, vajzat dhe djemtë e banorëve të Tiranës. Një zonë e cila është njohur për frekuentim social dhe që sot është kthyer jo më kot në një zonë ku rrinë bashkë banditë dhe politikanë dhe përplasen banditët. Në atë më pak se 1 km katror kanë ndodhur në këto  4 vite vrasjet më mafioze që janë dokumentuar në Shqipëri në këto 30 vite”, deklaroi Basha.

I pyetur nëse opozita po e bojkoton parlamentin, kreu i saj Lulzim Basha u deklaroi gazetarëve shprehimisht sot se "nuk ka bojkot qeveritar!". "Nuk ka bojkot qeveritar! Ne kemi qenë më aktivë se mazhoranca në propozimin e projektligjeve dhe në hartimin e nismave. Nuk ka bojkot parlamentar. Nëse e marrim atë vendim, kur ta marrim, nuk do të kemi frikë ta marrim", shtoi Basha.

Ndërsa sa i përket reformës zgjedhore, Basha u shpreh se takimi i sotëm i organizuar nga bashkëkryetari socialist për reformën zgjedhore, Bledi Çuci ishte i njëanshëm. Është kjo mazhorancë e cila po zvarrit në limitet kohore një nga çështjet kryesore, që është ai i votimit elektronik dhe biometrik. Dhe është kjo mazhorancë e cila i ka vënë kazmën konsensusit bipartizan, sepse po prezanton amendamente të njëanshme. Ju ishit të pranishëm dje kur ne bëmë prezantimin e platformës tonë. Ne e kishim fare kollaj të prezantonim amendamentet tona, por nuk e hodhëm këtë ha, nuk propozuam amandamentet. Ky është një ushtrim propagandistik. Edi Rama është i vendosur ta sabotojë Reformën Zgjedhore dhe në veçanti të bëjë gjithçka për të ndaluar dekriminalizimin e zgjedhjeve. Të gjithë e dini se nëse komponenti kriminal, bandat kriminale, nuk janë më në terren, Edi Rama është i pashpresë. Ai dhe kupola e tij, kthehen jo në opozitë, jo në minorancë, por anihilohen politikisht”, theksoi Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë