Politike

“Babale” dhe “Xhisiela”, Balla e Salianji thirren në prokurori

Bledar Hoti-Prokuroria e Tiranës është njohur këtë të enjte me dy padi të reja të depozituara nga ana e përfaqësuesve të partive politike. Kallëzimet nga opozita, por edhe nga maxhoranca kanë “shpërthyer” në këtë stinë vjeshte ku tashmë organi i akuzës duhet të përballet me qëndrimet e politikës për sa i përket hetimeve që do të ndërmarrë.

Kallëzimi i parë u depozitua nga ana e përfaqësuesve të opozitës, Edmond Spaho i PD-së dhe Petrit Vasili i LSI-së ndaj kryeministrit Edi Rama duke e akuzuar për kërcënim ndaj oficerit Emiljano Nuhu, i cili bëri publike çështjen “Xhisiela”.

Ndërsa padi e dytë brenda një ditë erdhi nga radhët e maxhorancës. Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla paraqiti një padi të re ndaj deputetëve të PD-së Edi Paloka dhe Enkelejd Alibeaj  në prokurori, si për t’iu kundërpërgjigjur nismës së opozitës që kallëzoi kryesocialistin Rama.

Objekti i padisë edhe këtë herë kishte të bënte me çështjen “Xhisela”. Opozita e ka akuzuar Ballën, duke u bazuar te rrëfimi i nënkomisar Nuhut se ka kërcënuar me armë për tërheqjen e denoncimit.

Në këtë padi thuhet se deputetët e PD kanë shpërndarë fakte të pavërteta për një ngjarje kriminale si ajo e Fushë-Krujës, për të cilën djali i deputeti të PS, Rexhep Rraja është në burg për përndjekje të ish-të dashurës së tij.

Kjo është padia e dytë që socialistët bëjnë në lidhje me ngjarjen “Xhisiela” dhe kundër demokratëve. Më 27 shtator, Balla depozitoi në Prokurori kallëzimin penal për kreun e PD, Lulzim Basha, për veprën penale ‘shpërdorim detyre’ dhe ‘kallëzim të rremë’.

Sa herë që në politikën shqiptare ka tension, politikanët vrapojnë të depozitojnë padi penale apo civile ndaj njëri-tjetrit.

Mes Ballës dhe Bashës ka një tjetër padi civile të hapur për shpifje. Kjo ka të bëjë me deklaratat e kryedemokratit Lulzim Basha në lidhje me kapjen e 3,2 milionë eurove të Toyta Yaris, ku ai akuzoi se personat e kapur kishin lidhje me kreun e grupit të PS-së. Përballja e tyre në gjyq pritet në 10 tetor. Vetë Balla në një dalje publike për median në mbrëmje bëri thirrje që kryedemokrati Lulzim Basha të mos mungojë në këtë seancë ballafaqimi.

Paditë për shpifje kanë të depozituara nga të dyja palët kanë qenë shpeshta, aq sa ato janë paraqitur në Gjykatën e Lartë si çështje. Por edhe pse ka pasur përplasje të tilla politike në dyert e gjykatave, ato janë shuar sa herë që mes maxhorancës dhe opozitës ka pasur ndonjë marrëveshje politike mes tyre.

Balla e Salianji në Prokurori

Fluksi i lartë i padive ka vënë në lëvizje organin e prokurorisë. Pasdite në Prokuroria e Tiranës ka thirrur për të dëshmuar kryetarin e grupit të PS-së, Taulant Balla. Ai ka qëndruar për 120 minuta në prokurori dhe ka dëshmuar për çështjen “Xhisiela”.

Balla pas dëshmisë tha  për mediat se dha sqarime për kallëzimin që ka bërë ndaj kreut të PD Lulzim Basha, deputeteve Edi Paloka, Enkelejd Alibeaj si dhe oficerit Emiljano Nuhu dhe gazetarit Basir Çollaku, ku i akuzon për ‘shpërdorim detyre’ dhe ‘shpifje’.

Deputeti u shpreh se kjo është një betejë për të vërtetën dhe se ai mban përgjegjësi për kallëzimet penale që ka depozituar. Balla tha se ka depozituar një sërë provash që vërtetojnë se ai nuk ka qenë në Komisariatin e  Fushë Krujës në datën 21 korrik.

“Sikur jeni në dijeni për një kallëzim penal në datë 27.9.2018 në fillim në ngarkim të Bashës, Nuhut dhe Çollakut, të plotësuar sot në kallëzimet ndaj Alibeajt dhe Palokës dhe besoj që do të plotësojmë nesër në ngarkim të Strazimirit për të cilët u vendosa në dijeni që prokuroria ka ngarkuar procedim penal 02.10.2018. Prokurorja Elsa Miha që dëshmova u informua prej meje për rrethanat në ngarkim të këtyre shtetasve dhe kam depozituar të gjitha provat që plotësojnë kallëzimin tim penal në krye të të cilëve është Basha.

Unë e garantoj publikun, që do ta fitoj këtë betejë jo në interesin tim, por të shqiptarëve që nuk duan më këtë lloj politike, që një budalla si Basha hedh një gurë në lum, ndërsa tani ka detyrimin që të vijë këtu dhe të thotë se cfarë provash ka për t’u mbrojtur në kallëzimin ndaj tij. Basha është akuzuar edhe për shpërdorim detyre. Ka ardhur momenti që kësaj politike që degradon dhe shpifja me qëllim duhet të marrë fund. Unë kam ardhur për të depozituar një dosje provash që justifikojnë kallëzimin tim. Unë kam bërë kallëzim, nëse është i rremë unë mbaj përgjegjësi“- tha Balla.

Ndërsa mësohet se prokuroria ka thërritur për dëshmuar edhe deputetin e PD-së, Ervin Salianji. Demokrati është thirrur për të dëshmuar  për audiopërgjimin e publikuar nga PD-ja, ku demokratët aludojnë se është zëri i vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i cili flet me një personazh të botës së krimit, i njohur me pseudonimin “Babale”.

Salianji ka bërë të ditur se nuk do ta refuzojë ftesën e prokurorisë. “Të vendosur për të shkëputur lidhjet e qeverisjes me krimin e organizuar, kudo, kurdo, me çdo formë. Nesër, ne orën 9.30, do jem në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, me vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund të vërtetës për Familjen Mafioze Xhafaj!”, shkruan Salianji në Facebook.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë