Futboll

Babai i Shpendit për gjestin e shëmtuar: Kërkoj ndjesë 100 mijë herë, më iku mendja!

Gazeta Si - Liman Shpendi, në Itali i njohur nga të gjithë si Aleks, babai i Kristian Shpendit, sulmuesit të Çezenës, është thirrur sot në komisariat në lidhje me ngjarjen e goditjes së portierit Filipo Rinaldi. Një ngjarje që ndodhi pas ndeshjes të së dielës ndaj Olbias dhe që bëri bujë.

Babai i binjakëve Shpendi ka kërkuar ndjesë publikisht për gjestin e shëmtuar, që me siguri do ta privojë nga stadiumi për ca kohë.

“Ju kërkoj falje të gjithëve, - tha Liman Shpendi pas daljes nga komisariati, - gjithë Italisë dhe klubit të Çezenës për gjestin tim të shëmtuar. E di që kam zhgënjyer shumë persona dhe për këtë arsye kërkoj ndjesë 100 mijë herë. Pashë djalin tim në tokë të gjakosur, me lojtarin tjetër që i dha një goditje nga prapa, duke menduar se nuk kishte bërë asgjë. Si baba, më iku mendja, por absolutisht nuk kam goditur askënd”.

Pas ndeshjes mes Çezenës dhe Olbias, babai i Kristian Shpendit la tribunën dhe tentoi të godiste portierin Rinaldi. Ky i fundit kishte dëmtuar djalin e tij gjatë ndeshjes, duke e detyruar të linte fushën, pas plagës së marrë në kokë.

Mëngjesin e sotëm edhe klubi i Çezenës dënoi gjestin e shqiptarit me një komunikatë zyrtare. "Çezena dënon ashpër sjelljen e familjarit të lojtarit tonë dhe distancohet nga çdo lloj forme dhune e çdo gjest antisportiv, që nuk ka të bëjë me principet e ‘fair-play’-it, që gjithmonë karakterizojnë klubin”, - shkruhej mes të tjerash në qëndrimin e Çezenës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë