Treg

Avionë me zero ndotje, “Airbus” prezanton tre koncepte

Kompania holandeze “Airbus” zbuloi tre koncepte avionësh transporti pasagjerësh që në vend të karburantit do të përdorin hidrogjen, duke garantuar zero emëtime në atmosferë.

“Airbus”, që është kompania më e madhe në botë e prodhimit të avionëve, thotë se tre idetë e saj janë pjesë e strategjisë dhe ambicies për të “dekarbonizuar industrinë e aviacionit”. Tre modelet e paraqitura ndryshojnë nga dezajni dhe distanca e fluturimit të pandërprerë që mund të kryejnë, ndërsa e përbashkëta është se që të gjithë synohet që të funksionojnë me hidrogjen.

Kompania thotë se të tre modelet e paraqitura mbeten për t’u vlerësuar më në detaje për të dalë më pas me një vendim konkret nëse mund të shndërrohen në avionë realë apo jo.

Modeli i parë është “Turbofan”, në gjendje që të transportojë 120 deri në 200 pasagjerë për një distancë mbi 3600 kilometra. Motori i këtij modeli shfrytëzon hidrogjenin e lëngshëm të ruajtur në depozitat që ndodhen të mirëizoluara në pjesën e pasme të avionit.

Modeli i dytë është konceptuar që të transportojë rreth 100 pasagjerë për një distancë deri në 2 mijë kilometra, duke e bërë atë një mjet perfekt transportues për distanca të shkurtra.

I treti është një koncept më futuristik dhe është menduar që të transportojë mbi 200 pasagjerë në distanca deri në 4 mijë kilometra. Në këtë model, pasagjerët akomodohen në pjesën e krahëve të avionit.

Dizajni i këtij modeli mundëson ruajtjen e më shumë sasie hidrogjeni në depozitat e vendosura në avion, si dhe garanton një siguri e mundësi vendosjeje mekanizmash për siguri më të lartë në udhëtim.

“Tranzicioni drejt përdorimit të hidrogjenit si burimi kryesor i furnizimit me energji në industrinë e aviacionit do të kërkojë aksione konkrete nga e gjithë kjo industri. Të gjithë së bashku dhe me mbështetjen e qeverive dhe partnerëve të tjerë industrialë mund t’ja dalim mbanë që në një të ardhme jo shumë të largët të kemi një aviacion plotësisht pa ndotje”, deklaroi Guillaume Faury, drejtor ekzekutiv i “Airbus”.

Kompania shpreson se mund të ngrejë në fluturim avionin e parë të furnizuar plotësisht me hidrogjen dhe me zero ndotje në atmosferë në vitin 2035.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë