Bota

Avionë F-16 nga Danimarka dhe Holanda për Ukrainën, Rusia paralajmëron ‘përshkallëzim’

Gazeta Si - Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski, ka falënderuar Danimarkën dhe Holandën për mbështetjen e tyre ndaj Kievit në luftën kundër pushtimit rus, ndërsa Moska tha se vendimi i tyre për të dërguar avionë luftarakë F-16 në Ukrainë do ta përshkallëzonte luftën.

Komentet e Zelenskit në Kopenhagë të Danimarkës më 21 gusht erdhën një ditë pasi ai njoftoi se Danimarka e kishte miratuar dërgimin e 19 avionëve luftarakë të avancuar në Ukrainë.

Zelenski tha gjithashtu se edhe Holanda kishte rënë dakord të dërgonte 42 avionë të llojit F-16, megjithëse kryeministri holandez, Mark Rutte, tha se megjithëse vendi i tij i ka 42 avionë në dispozicion, ende nuk është vendosur nëse të gjithë do t’i dhurohen Ukrainës.

Anëtaret e NATO-s, Danimarka dhe Holanda, njoftuan për vendimet e tyre për t’i dhuruar F-16 Ukrainës në një deklaratë të përbashkët më 20 gusht, por nuk e specifikuan numrin e avionëve.

Danimarka ka sugjeruar që avionët F-16 të saj mund të dorëzohen deri në fund të vitit, pas katër deri në gjashtë muaj trajnim.

Gjatë vizitës së Zelenskyt në një bazë ajrore holandeze më 10 gusht, Rutte nuk dha një numër ose afat kohor për dërgesat, duke treguar se disa nga 42 avionët që Holanda ka në dispozicion do të nevojiteshin për qëllime stërvitore dhe se koha varej nga gatishmëria e ekuipazheve ukrainase dhe infrastrukturës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës autorizuan javën e kaluar Danimarkën dhe Holandën për të dorëzuar avionët F-16 të prodhimit amerikan në Ukrainë.

Por, Rusia, i dënoi vendimet e Danimarkës dhe Holandës për t’i dhuruar këta avionë.

“Fakti që Danimarka tani ka vendosur të dhurojë 19 avionë F-16 në Ukrainë çon në një përshkallëzim të konfliktit”, tha ambasadori rus në Danimarkë, Vladimir Barbin, në një deklaratë të cituar nga agjencia e lajmeve Ritzau më 21 gusht.

“Duke u fshehur pas një premise se vetë Ukraina duhet t’i përcaktojë kushtet për paqen, Danimarka kërkon me veprimet dhe fjalët e saj që të mos i lërë Ukrainës zgjidhje tjetër veçse të vazhdojë konfrontimin ushtarak me Rusinë”, tha Barbin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë