Libra

Aventurat e Nils Holgerssonit – Një fluturim mbi dhembshurinë dhe prindërimin e mirë

Të lutem, Nils, thuaju njerëzve që të lënë edhe pak vend për ne, një ishull të pabanuar, një liqen të cekët, një moçal me llucë apo një mal të zhveshur, ku të jetojmë të qeta.  Natyra është shumë e madhe dhe ka vend për të gjithë dhe kjo nuk do t’ju kushtojë asgjë. Thuaju të mos na vrasin ose lëndojnë, se edhe ne jemi qenie, ashtu si ju!

E mbani mend Akën, Martinin dhe xhuxhin trazovaç  Nils Holgersson? Edhe atyre që nuk u ra në duar botimi në shqip i para viteve ’90, do të njiheshin me aventurat e djaloshit mbi qiejt e Suedisë përmes serive vizatimore.

Pas disa përkthimeve dhe përshtatjeve në shqip, shtëpia botuese Albas e ka sjellë për lexuesit e vegjël botimin e plotë të “Udhëtimi i mrekullueshëm i Nils Holgersson nëpër Suedi” nga gjuha origjinale me përkthimin e poetes Entela Tabaku Sorman, në serinë e Klasikëve për Fëmijë.

Autorja e librit,  Selma Lagerlöf ishte gruaja e parë që fitoi çmimin Nobel për letërsi, më 1909. Origjina e aventurave të  Nils Holgersson, rrëfenja e saj shumë e dashur për fëmijë e botuar për herë të parë më 1906-n u porosit nga Shoqëria Kombëtare e Mësuesve Suedezë si një libër shkollor gjeografik. Por interpretimi i kësaj detyre  të lodhshme didaktike nga Lagerlöf, i thyen kufijtë e formës. Është plot me fraza poetike, me një rrymë të fortë moraliste që lejon që shpirti trazovaç  i fëmijërisë të mbetet i vërtetë. E gjithë Suedia formon sfondin e aventurës: peizazhe, bregdete dhe qytete që pasurojnë dhe informojnë rrëfimin, ndërsa bujqësia dhe jeta e kafshëve vërehen me kujdes dhe me dashuri.

Nils Holgersson është, fillimisht, një djalosh  mizor dhe pa hijeshi: ai mbyll prindërit e tij në kasolle,  pengon nënën ndërsa ajo mban  kovat me qumësht dhe ngacmon të gjitha kafshët në fermë. Një ditë ai zë në kurth një xhuxh dhe ky i fundit e nëm: i vocërruar, perspektiva e tij ndryshon  në mënyrë drastike, duke na kujtuar disi metamorfozat e Lizës së Lewis Carroll. “Ai nuk ishte më njeri, por një përbindësh”, mendon Nils për veten. Ndjenja e tjetërsimit është tronditëse.

Kjo çon në përbërësin thelbësor të një libri të mirë për fëmijë: një zgjerim të botëkuptimit të fëmijës. “Ku do të merrte ai ushqim dhe kush do t’i jepte strehim dhe kush do t'ia rregullonte shtratin?”, pyet ai. I shkëputur nga hapësira e sigurt shtëpiake, Nilsi e kupton se nevojat themelore njerëzore që ai i mori të mirëqena,   vështirë të fitohen. Libri është renditur i  68-ti në listën e 100 librave të shekullit nga “Le Monde”.

Nilsi merret me vete rastësisht nga  një patok  ferme, i cili dëshiron të ndjekë patat e egra deri në Lapland. TH White përdori një pajisje të ngjashme në “Shpata në Gurë”, pasi mbreti i ardhshëm Artur dërgohet për të mësuar rreth paqes dhe bashkësisë, midis patave. Këtu, Nils është dëshmitar i ndërvarësisë së botës natyrore, dhe ndërlikimeve për të ndrequr gabimet. Ka nyjëzime me përralla të tjera – Fyelltari i Hamelinit, ndërsa Nilsi i çon minjtë me një tub të vogël, dhe, natyrisht,  me Gishton.

Hipur mbi shpinën e patokut të tij Martin, ai tashmë fillon ta shikojë botën me një sy tjetër: ta shikojë nga lart.  Udhëtimi i Nilsit nuk është vetëm një udhëtim fizik, por edhe një udhëtim brenda vetes së tij. Të zënë me punët e fermës dhe të kufizuar nga një filozofi prindërimi autoritar, prindërit e Nilsit kanë dështuar aty ku pata e moçme Aka ka sukses. Ajo me mjaft maturi i mëson Nilsit vlerën dhe bukurinë e punës, mirësisë, miqësisë dhe fjalës së dhënë. Ajo e përfshin Nilsin në jetën e përditshme, i jep detyra që e bëjnë të ndihet i vlefshëm. Nilsi e përfundon udhëtimin si një djalë i fortë, që di të dojë dhe të respektojë veten dhe të tjerët.

E para qenie për të cilën do të ndiejë dashuri është Aka, pata e egër prijëse. Pse vallë? Çfarë bën Aka, që nuk e bëjnë prindërit e Nilsit?

Si gjithë librat e mirë, ky libër ka shumë nënshtresa, mendon  përkthyesja Entela Tabaku. Nilsi “fluturon” edhe mbi një manual të prindërimit të mirë. Aka është po aq autoritare sa i ati i Nilsit, në kuptimin që nuk është se ia përshtat Nilsit rregullat e veta, Por ajo i jep atij gjithmonë mundësinë ta tregojë veten dhe tregon besim se do t’ia dalë mbanë.

Aka është përkujdesëse si e ëma, e ndihmon të gjejë ushqim, Por e  përkrah dhe bashkë me Nilsin, nuk e bën punën në vend të tij. E dënon haptas shpirtligësinë, por jo duke rënkuar dhe duke u ankuar, apo duke u çjerrë,  por  duke i treguar me shembuj se ku të çon dashakeqësia, se si vuajnë të tjerët nga dashakeqësia dhe pakujdesia e tij. Njëkohësisht që ka humor e qesh e tallet dhe e bën jetën argëtuese.

Nils Holgersson në një version të animuar në Netflix

Jeta me Akën është e mundimshme, por e gëzueshme. Jeta me Akën e bën Nilsin të ndihet i gjallë dhe i vlefshëm. Konfliktet janë të pashmangshme, Aka vetë e ka provuar me birin e vet adoptiv Gorgon, por  dashuria dhe respekti mes tyre është i padiskutueshëm. Nilsi niset kështu si një djalë shpirtvogël, por ai që kthehet natën e Shën Martinit është një djalë zemërgjerë, i gatshëm ta ndajë mantelin e vet me të tjerët. Ky shndërrim nuk ndodh me magji, por në sajë të prindërimit të mirë të Akës.

Subjekti është domosdo episodik. Lagerlöf end folklorin suedez në rrëfimin e saj; asnjë vend nuk kalon pa u treguar historia e tij në një mënyrë interesante, duke folur statuja bronzi, ose lejlekë.

Statujë e Nils Holgersson në Kalrskrona, Suedi

Libri është madhështor, i bukur, emocionues dhe prekës. Pasazhi më i çuditshëm e sheh Nilsin duke bredhur rrugëve të një qyteti,  ku të gjithë janë veshur mrekullisht. Ata i ofrojnë atij pasuri në këmbim të një monedhe të vetme. Ai nxiton për të gjetur një, por kur kthehet, qyteti është zhdukur. Një lejlek i thotë atij se ishte një qytet i mbytur nga lakmia e tij: ai shfaqet për një orë një herë në vit dhe, nëse dikush blen diçka për një monedhë, ai mund të kthehet në realitet.

 Nils, i shkatërruar që nuk mund ta shpëtojë qytetin, shpërthen në lot. Lakmia e fëmijës përputhet me atë të qytetit dhe megjithatë, ne nuk jemi të inkurajuar të përçmojmë,  por të kuptojmë.

Ajo që i jep librit nuancën  e tij dhe e shpëton atë nga moralizmi, është mënyra se si Lagerlöf shmang zgjidhjet e thjeshta. Kur Nilsi është sjellë mirë për një javë, xhuxhi ofron ta kthejë Nilsin në përmasa njerëzore,  por djali refuzo  duke dashur të jetë i egër dhe i lirë. Si një metaforë për shkëputjen nga familja, është e zymtë, por për çdo fëmijë, menjëherë joshëse.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë