Para

Autoriteti i Konkurrencës: Pagesa 15 mijë-2 mln lekë për ndërmarrjet

Konkurrenca ka miratuar një rregullore e cila detyron të gjithë entet apo ndërmarrjet të paguajnë tarifa të caktuara kur përfshihen në proces kontrolli.

Autoriteti argumenton se kjo rregullore ka për qëllim mbrojtjen e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg.

Në nenin 4 përcaktohen tarifat për ndjekjen e procedurave në rastet e kontrollit të përqëndrimeve.

Në rastin e krijimit të një ndërmarrjeje të përbashkët kur palët në fjalë drejtohen pranë Autoritetit për të tërhequr “Formularin e Njoftimit të Përqëndrimit” detyrohen të paguajnë një vlere prej 15 mijë lekësh.

Kurse autorizimi i dhënë prej Komisionit të Konkurrencës për “Përqëndrim të përkohshëm të ndërmarrjeve” vlen 30 mijë lekë.

Referuar urdhrit të Konkurrencës, Dhënia e Autorizimit për “Realizimin e Përqëndrimit” e ka faturën 500 mijë lekë.

Autorizimi për “Realizimin e përqëndrimit” i dhënë nga Komisioni i Konkurrencës sipas “Procedurës së Thelluar” jepet kundrejt pagesës me anë të përllogaritjes:
-në shumën 0,03 % e xhiros së të gjitha ndërmarrjeve pjesëmarrëse sëbashku, të vitit financiar paraardhës, në rastet kur plotësohen kushtet të mbështetura në bazën ligjore përkatëse. Në çdo rast rregullorja detyron që shuma përkatëse të mos i kalojë 2 mln lekë.
Mosklasifikimi si përqëndrim i një transaksioni të caktuar, në rastet kur Komisioni i Konkurrencës shprehet me vendim, bëhet kundrejt pagesës me vlerë prej 150 mijë lekë.
Neni 5 i rregullores së Konkurrencës cakton tarifat për ndjekjen e procedurave në rastet e njoftimit të marrëveshjeve që kërkojnë përjashtim nga ndalimi.

Njoftimi nga ndërmarrjet që kërkojnë përjashtim nga ndalimi bëhet kundrejt pagesës 15 mijë lekë.

Vendimi për përjashtim nga ndalimi i dhënë nga Komsioni i Autoritetit të Konkurrencës jepet kundrejt pagesës 500 mijë lekë.

Kurse vendimi i dhënë nga Komisioni i Konkurrencës për shtyrjen në kohë të përjashtimeve jepet kundrejt pagesës me vlerë 300 mijë lekë.

Shërbimet pa pagesë pranë këtij Autoriteti janë shqyrtimet e ankesave të ndryshme, dhënia e vlerësimeve dhe rekomandimeve nga Autoriteti për çështje që lidhen me konkurrencën, me kërkesën e organve qendrore dhe vendore.

Pagesat e parashikuara në rregulloren e Autoritetit bëhen në bankë në llogarinë e këtij institucioni kundrejt faturës për arkëtim që lëshohet nga Autoriteti i Konkurrencës.
Sipas rregullores, asnjë pagesë nuk është e rimbursueshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë