Treg

Autoriteti i Konkurrencës mbyll hetimin për çmimin e vajit. Nuk gjen shkelje

Nga Gazeta 'SI' - Autoriteti i Konkurrencës ka mbyllur hetimin e thelluar për tregun e importit, prodhimit dhe shitjes me shumicë të vajit vegjetal, pa konstatuar asnjë shkelje ligjore.

Në përfundim të analizës së çmimit të shitjes me shumicë të vajit të lulediellit, rezultoi se, gjatë periudhës hetimore, rritja e çmimit të shitjes me shumicë e bërë prej ndërmarrjeve nën hetim ka reflektuar rritjen e çmimit mesatar të importit.

Po ashtu, u konstatua se çmimet mesatare mujore të shitjes me shumicë nuk janë të përafërta për këto ndërmarrje. Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës, vendosi mbylljen e procedurës së hetimit të thelluar ndaj ndërmarrjeve Agro Blend, Bomira, Devi 20 – Grup, Eqerem-934, Ferra & Co-SHPK, Globcom, Kriket-1, Teuta-Durrës dhe PDF.

Hapja e hetimit të thelluar në tregun e importit, prodhimit dhe shitjes me shumicë të vajit vegjetal u bë më shumë se një vit më parë, në 18 mars 2022. Hetimi u hap në vijim të rritjes së fortë të çmimeve të këtij produkti, në tremujorin e parë të vitit të kaluar dhe përfshiu periudhën kohore nga 20 maj 2021 deri në 18 mars 2022.

Megjithatë, hetimi i thelluar nuk ka evidentuar marrëveshje të ndaluara, sjellje të bashkërenduar apo sjellje të tjera në shkelje të ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”.

Çmimet e vajit patën një rritje të vrullshme pak kohë pas luftës në Ukrainë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë