Libra

Autorët shqiptarë në Panairin e Librit në Torino

Letërsia shqipe ka qenë edhe këtë vit me një stendë të posaçme, në Panairin Ndërkombëtar të Librit, edicioni i 33-të i të cilit zhvillohet në Torino nga data 14 deri më 18 tetor 2021.

I vizituar çdo vit nga qindra mijëra vizitorë nga e gjithë Italia, Panairi Ndërkombëtar i Torinos është ngjarja më e madhe e më e rëndësishme letrare e vendit fqinj.

Stenda e Shqipërisë, e organizuar dhe menaxhuar për të tetin vit radhazi nga Qendra e Kulturës Shqiptare (www.centroalbanese.it) ofron për publikun italishtfolës më shumë se 200 tituj, të mbi 80 autorëve bashkëkohorë shqiptarë, të botuar nga 31 shtëpi të ndryshme botuese.   

Interesi i publikut të panairit ndaj letërsisë së autorëve shqiptarë është i lartë. Krahas veprave kryesore të Kadaresë, që janë ribotuar gradualisht në gjuhën italiane, mjaft të vlerësuara e të kërkuara nga vizitorët janë edhe librat e autorëve të tjerë bashkëkohorë si Ylljet Aliçka, Fatos Kongoli apo Arben Dedja, veprat e të cilëve janë të disponueshme edhe në italisht.

Një vend krejt të veçantë në vëmendjen e publikut vijojnë të kenë, vit pas viti, edhe autoret shqiptare Anilda Ibrahimi, Elvira Dones dhe Ornela Vorpsi, të cilat e kanë arritur suksesin me vepra të shkruara drejtpërdrejt në gjuhën e shtetit fqinj.

Krahas librave në gjuhën italiane lexuesit shqipfolës, që vizitojnë Panairin mund të gjejnë pranë stendës edhe një përzgjedhje titujsh në gjuhën e tyre amtare.

Si pjesë e programit të Panairit të Librit 2021, Qendra Shqiptare dhe Fondacioni Vera Nocentini  më 15 tetor prezantuan librin e autorit shqiptar Arben Dedja. Libri u prezantua në prani të autorit si pjesë e Salone Off. Ndërkohë, më 16 tetor

Më 16 tetor, dashamirësit e letërsisë në Panairin e Librit u takuan me autorin Tom Kuka i cili prezantoi librin e tij të fundit, “L'Ora del male”, (Ora e ligë) botuar nga Besa Editrice.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë