Estonia mori Presidencën e Bashkimit Europian më 1 korrik të 2017 dhe përgjatë gjashtëmujorit të saj në këtë rol, Ballkani Perëndimor nuk ishte një prioritet. Prioritet i Estonisë ishte siguria dhe sidomos reagimi përballë rritjes së presionit dhe influencës ruse në Europën Lindore, si dhe ngritja e mekanizmave parandalues për këtë.
Por, më 1 janar gjërat do të ndryshonin. Presidenca kaloi në duart e Bullgarisë dhe Sofja e bëri të qartë se pikë të parë të agjendës së vet do të kishte integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Organizoi për këtë qëllim një samit, ku u përpoq që të bëjë njëzëri vendet anëtare në dhënien e një sinjali të fortë për rajonin para se të merrej vendimi për hapjen e negociatave apo jo me Shqipërinë dhe Maqedoninë dhe kalimi i këtyre negociatave në një fazë tjetër për Serbinë dhe Malin e Zi.
Situata e brendshme e Bashkimit Europian bëri që progresi me ndihmën bullgare në këtë drejtim të ishte mjaft modest. Kujtojmë që në samitin e organizuar, vendet patën ndasi jo të pakta, deri tek përplasja e Spanjës me vendet e tjera për firmosjen e një deklarate të përbashkët me vendet e Ballkanit Perëndimor. Madridi ngurroi fillimisht që të firmosë një deklaratë, firmëtare e së cilës do të ishte edhe Kosova, por në fund u gjet një rrugë e ndërmjetme dhe deklarata e prodhuar ishte më shumë formale sesa një produkt dakordësie mes vendeve të BE-së dhe për më tepër në të nuk flitej për integrim, apo zgjerim të BE-së, por premtohej ndihmë për rajonin në zhvillimin e infrastrukturës ndërlidhëse.
Presidenca bullgare iku dhe tani në krye të BE-së është Austria. Vjena ka qenë një përkrahëse e flaktë e integrimit të Ballkanit Perëndimor, por me ardhjen në pushtet të populistëve të djathtë, në koalicion me popullorin Sebastian Kurz, kjo flakë është zbehur disi.
Austria sot ka një tjetër prioritet dhe ai është emigracioni. Kurz e bëri të qartë këtë në një takim të fundit të zhvilluar në një qytezë qendrore të vendit. Duke nënkuptuar se ku do të vihet theksi, kancelari austriak tha se Presidenca austriake objektiv ka realizimin e një samiti me vendet afrikane.
“Duhet të përdorim marrëdhëniet e mira që kemi me vendet afrikane dhe të bisedojmë për mundësinë e ngritjes së qendrave të pritjes së refugjatëve në vende të treta, ku emigrantët të jenë të sigurtë dhe të shpëtohen”, tha Kurz.
Kancelari austriak ishte një prej atyre zërave që nënkuptuan ngritjen e këtyre qendrave edhe në vendet e Ballkanit, një ide e hedhur së bashku me kryeministrin danez, Rasmussen. Pjesë e këtij bisedimi, jo në kuadër të Brukselit, u bë edhe Gjermania.
U përfol në atë kohë që ngritja e qendrave të strehimit të refugjatëve të refuzuar nga BE në Shqipëri ishte një kusht jo zyrtar, por i nënkuptuar që i vihej politikës shqiptare. Lajmi i përhapur në mediat ndërkombëtare dhe më pas në Tiranë fillimisht nuk u komentua në Tiranë, por me përfshirjen e kësaj çështjeje në diskursin politik mazhorancë-opozitë, reagoi Kryeministri Edi Rama.
“Nuk na ka kërkuar kush të marrim as 600 mijë, as 60 mijë dhe as 6 mijë refugjatë sirianë dhe as kemi mundësi që t’i marrim”, deklaronte ai.
Megjithatë, pavarësisht se vëmendjen do ta përqendrojë tek emigracioni, Austria zotohet se do të vazhdojë të ushtrojë presion, sidomos tek vendet skeptike për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor.
“Rivendosja e marrëdhënieve të BE-së dhe vendeve të Europës Juglindore qëndron në thelbin e përpjekjeve të Austrisë. Ne do të ndërtojmë progresin e rëndësishëm të arritur gjatë Presidencës Bullgare të BE-së dhe do të mbështesim të gjitha përpjekjet për një integrim të vazhdueshëm të rajonit në strukturat europiane”, tha për BIRN ambasasdori austriak në BE, Klemens Fischer.
Pritshmëritë mund të jenë të mëdha, por nga një analizë e përbërjes dhe programit të qeverisë aktuale të kancelarit Kurz, ku shqetësimi kryesor janë refugjatët, kufizimi dhe parandalimi i flukseve të tyre, pak ose aspak pritet që të realizohet në këtë drejtim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.