Bota

Austria do të mbyllë në shtëpi të gjithë të pavaksinuarit

Kancelari Alexander Schallenberg ka thënë se njerëzit e pavaksinuar në Austri mund të përballen me kufizime të reja izolimi nëse numri i rasteve të koronavirusit vazhdon të rritet.

Lajmi erdhi pas një takimi midis Schallenberg dhe Ministrave për të diskutuar rreth masave që duhet të marrin ndaj rritjes së numrit të rasteve të reja.

“Jemi në një pandemi të të pavaksinuarve”, tha ai.

Schallenberg njoftoi se nëse numri i pacientëve me COVID në njësitë e kujdesit intensive (ICU) arrin në 500, ose 25 për qind e kapacitetit total të ICU të vendit, do të kufizohet hyrja në biznese si restorante dhe hotele për ata që janë vaksinuar ose shëruar nga virusi.

Nëse numri arrin 600, ose një të tretën e kapacitetit të përgjithshëm të ICU, qeveria planifikon të vendosë kufizime për njerëzit e pavaksinuar. Në këtë rast, ata do të lejohen të largohen nga shtëpitë e tyre vetëm për arsye specifike.

Aktualisht, numri i pacientëve me Covid-19 në ICU është 220.

Në javën e kaluar, Austria ka raportuar 20,408 raste të reja të virusit, sipas autoriteteve shëndetësore, duke e çuar mesataren 7-ditore në 228.5 për 100,000 banorë. Një javë më parë, kjo shifër ishte 152.5 për 100,000 banorë.

Megjithëse qeveria e Austrisë i ka inkurajuar qytetarët që të vaksinohen, përpjekja është ngadalësuar muajt e fundit. Rreth 65.4% e popullsisë së përgjithshme ka marrë një dozë të vaksinës dhe 62.2% janë plotësisht të vaksinuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë