Politike

Atletet e Ramës, oguri i një gjëje që s’po ndodh …

Samiti i Londrës nuk prodhoi ndonjë rezultat pozitiv të jashtëzakonshëm përveç zotimit rutinë të Bashkimit Europian për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor nga njëra anë dhe premtimit të udhëheqësve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nga ana tjetër për të vazhduar punën në rrugën e reformave që përafrojnë vendet e tyre me standardet e Brukselit.

Në kushtet dhe momentin që po organizohej samiti, i konceptuar si vazhdimësi i Procesit të Berlinit pritshmëritë në këtë takim nuk ishin të mëdha dhe mediat ndërkombëtare u përqendruan më shumë tek ajo që po ndodhte brenda qeverisë së Theresa May, që u godit të hënën me dy dorëheqje të njëpasnjëshme të dy figurave të saj kyçe të procesit Brexit, David Davis dhe Boris Johnson.

Por, Kryeministri shqiptar Edi Rama ja doli mbanë që të mposhtë “konkurrencën” për vëmendje dhe e realizoi këtë me të njëjtën strategji të përdorur një vit më parë në samitin e Triestes. Shefi i qeverisë shqiptare u shfaq me atlete në këtë takim dhe i kishte veshur ato edhe tek fotoja e zakonshme “familjare” mes udhëheqësve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor.

Shfaqja ra në sy të BBC dhe gazetarëve të saj të vëmendshëm që me humor e komentuan në rrjetet sociale.

https://twitter.com/BBCPolitics/status/1016764074472984578

“Fotoja familjare është një traditë në takimet e këtij lloji, por këtë herë këpucët e zakonshme në rresht të parë nuk janë dhe aq tradicionale. Këto (atletet) i përkasin kryeministrit shqiptar Edi Rama që siç duket po e shijon mjaft këtë moment”, thotë BBC jo pa ironi në përshkrimin që i bën imazhit zyrtar të samitit.

Prej këtij momenti ka dalë edhe një foto tjetër që po qarkullon në rrjetet sociale. Në të shfaqet Rama i buzëqeshur dhe në krah të tij Merkel me kokën lart, që duket sikur po kërkon ndihmën e “Dikujt”, por se për çfarë nuk dihet, ndërsa atletet ishin të pranishme edhe në takimin me kryeministrin grek, Alexis Tsipras.

Atletet e Ramës “vranë” edhe sytë e mediave serbe. Blic publikon në versionin e saj online një foto nga mbërritja e Kryeministri shqiptar në godinën ku do të zhvillohej samiti dhe në artikull thotë se përzgjedhja e atleteve “është një përpjekje e Edi Ramës për të tërhequr vëmendjen”.

Kjo nuk është hera e parë që Kryeministri shqiptar devijon nga veshjet zyrtare. Më 25 maj të 2017 Federica Mogherini mblidhte në Bruksel udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor. U vunë në rresht të gjithë për foton zyrtare. Rama këtë herë ishte sërish me atlete, por ngjyra e zezë e tyre nuk tërhoqi fort vëmendjen. S’mund të thuhej e njëjta gjë për pjesën tjetër të veshjeve. Kryeministri shfaqet me një palë tuta, me gjasa Yamamoto, kompani që e ndjek edhe përmes profilit të vet zyrtar në Instagram.

Federica Mogherini me udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, 25 maj 2017

Pa u mbushur dy muaj nga kjo, më 12 korrik të 2017 shfaqet me atlete të bardha Adidas në një takim me Presidentin francez, Emmanuel Macron dhe më vonë edhe në samitin e Triestes. Tregoi disa ditë më vonë për mediat në Tiranë se i kishte dhuruar Presidentit francez një palë atlete të ngjashme pasi i kishin pëlqyer aq shumë atletet Adidas Superstars që Rama kishte veshur në takimin me të.

Adida’hash , marka e re e atleteve shqiptare që Rama i dhuroi Macron / Karikaaturë e SI

Por, nëse në Trieste atletet i sollën fat Edi Ramës, duke qenë se në fund BE ra dakord të investojë në disa fusha konkrete, kryesisht në infrastrukturën rrugore, hekurudhore dhe energjitike të rajonit, duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë, s’mund të thuhet e njëjta gjë në Londër.

Edi Rama mbërrin në Samitin e Triestes, Korrik 2017

Për ata që nuk e njohin të shkuarën e Edi Ramës si kryebashkiak i Tiranës shfaqje të tilla janë të pazakonta, por për të tjerët jo. Në krye të bashkisë së kryeqytetit veshja dhe shfaqja e tij në publik jashtë kostumeve zyrtare interpretohej si simboli i modernizimit të qytetit, i lyerjes së pallateve ngjyra-ngjyra dhe investimeve të tjera që u kryen në atë periudhë.

Përzgjedhja në garderobë ndryshoi disi kur ai mori në drejtim Partinë Socialiste. Shfaqjet me kostum zyrtar e kollare u bënë më të shpeshta dhe kur në 2013 u bë Kryeministër të gjithë menduan se nuk do ta shihnin më Edi Ramën me atlete e bluzë kazuale. Rama u provoi të kundërtën dhe këtë herë edhe para ndërkombëtarëve.

Media të ndryshme kanë shkruar për këtë ndër vite dhe disa politologë e interpretojnë si përpjekje për të ndryshuar imazhin e Shqipërisë në sytë e ndërkombëtarëve e për t’u përçuar atyre sforcot e një vendi që po synon modernizimin, ndërsa të tjerë e quajnë neopopulizëm. A ishin atletet në Londër një sinjal modernizimi, neopopulizëm apo përpjekje për vëmendje? Kësaj pyetjeje vetëm Edi Rama mund t’i përgjigjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë