Politike

Athina: Trazirat politike në Tiranë, vonesa për marrëveshjen

Ndërkohë që në Tiranë vazhdimësia dhe detajet e negociatave me Greqinë për cëshjen detit mbeten mister, ministri i Jashtëm grek, Jorgos Katrougkalos deklaroi se diskutimet për një marrëveshje bilateral kanë rifilluar, por se është ende herët për të dhënë një datë për firmosjen e një marrëveshjeje.

Në një intervistë për radiostacionin Real Fm, ai përsëriti premtimin e ish-ministrit Niko Kotzias për zgjerimin e vijës bregdetare greke, duke thënë se përcaktimi i zonës ekskluzive ekonomike është ndër prioritetet e kryeministrit Cipras.

Madje, Katrugalos e përfshin zgjerimin vijës bregdetare në një projekt të qeverisë greke për përcaktimit të Zonës Ekskluzive Ekonomike me Shqipërinë, Italinë dhe Egjiptin.

"Është një vendim politik i marrë nga kryeministri që do të bëhet me një ligj formal. Edhe pse koha e firmosje së marrëveshjeve më këto vende ende nuk është përcaktuar ende, ai e ka bërë të qartë se çështja do të vendoset në krye të agjendës”, deklaroi ministri.

Jorgos Katrugalos

Shefi diplomacisë greke u shpreh se ecuria e marrëdhënieve bilaterale me Shqipërinë është bllokuar kohët e fundit për shkak të trazirave në Tiranë, por dhe për mungesën e përgjigjeve për minoritetin grek.

Duke iu referuar dialogut të mëparshëm Tiranë7-Athinë, ministri i Jashtëm i vendit fqinj konfirmoi se pas largimi të zotit Bushati dhe zotit Kotzias negociatat për Zonën Ekskluzive Ekonomike në detin Jon kishin mbetur në vend.

“Është e drejtë vërejtja për sa i përket vonesës në negociata, ka arsye, ne padyshim që marrim parasysh trazirat politike në vendin fqinj. Ndërkohë që duhet të marrim dhe përgjigje për çështjet e parashtruara dhe madhore të minoritetit grek: konkretisht janë dy ligje që referohen në të drejtat përkatëse, ligji për mbrojtjen e pasurisë së palëvizshme në bregun e Himarës, si dhe ligji i përcaktimit të identitetit, që ofron mundësinë e deklarimit si minoritar në procesin e regjistrimit. Janë dhënë disa përgjigje nga pala shqiptare, në një farë mënyre mund të them se kanë rifilluar diskutimet, por është akoma tepër herët të parashikojmë rezultatin. Megjithatë, theksoj sërish se vullneti ynë është; ecuria dhe përmirësimi i çështjeve bilaterale, e përmes këtij përmirësimi të lirohet dhe rruga europiane për Shqipërinë”.


Katrougkalos nuk ka përcaktuar një afat kohor për firmosen e një marrëveshjeje për zgjidhjen e çështjeve të hapura me Shqipërinë, e cila sipas tij është në varësi të plotë të vendimeve për shelfin detar. Megjithatë, ai ka theksuar se negeciatat me Shqipërinë përbëjnë një prioritet për Greqinë.

Deklarata e tij pason një intervistë të dhënë disa javë më parë nga Ish-ministri i Jashtëm grek, Niko Kotzias, i cili ka rrëfyer se negociatat për marrëveshjen e kufirit detar me Shqipërinë ishin në një rrugë të mbarë dhe shumë pranë finalizimit.
Megjithatë, as në Athinë dhe as në Tiranë nuk dihet saktësisht se për çfarë kanë rënë dakord apo se çfarë është arritur në takimet e përsëritura të dy ish-ministrave të jashtëm, dhe mbi të gjitha se çfarë është lënë në mes me largimin e tyre.

Ish-ministrat Niko Kotzias dhe Ditmir Bushati

Çështja e detit, e cila mbeti në harresë për vite të tëra, u risoll sërish në vëmendje në pranverën e vitit 2017, kur së bashku me negociatat për emrin e Maqedonisë, Kotzias filloi edhe maratonën e bisedimeve me Shqipërinë. Tirana dhe Athina duket se kishin gjetur gjuhën e përbashkët për kufirin detar, një prej çështjeve që kishte ftohur marrëdhëniet mes dy vendeve prej vitit 2009 kur Partia Socialiste e çoi në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen e arritur nga qeveria e Partisë Demokratike.

Takimet Bushati-Kotzias u zhvilluan në Korçë dhe nëpër disa ishuj grek, prapa dyerve të mbyllura, pa ndonjë informacion apo raporte rreth përmbajtjes së bisedimeve. Të vetmet deklarata që vinin nga ministri Bushati thoshin se negociatat me Greqinë vijojnë, dhe Tirana dhe Athina ishin në një fazë dialogu intensiv për të gjitha çështjet, qoftë ato me karakter dhe me peshë historike apo çështjet e aktualitetit.

Por edhe pse përflitej se marrëveshja për kufizimin e zonave detare dhe heqjen e ligjit të luftës ishte drejt përfundimit, as pala greke dhe as ajo shqiptare nuk kanë dhënë detaje për përmbajtjen e tyre, duke bërë që bisedimet të ishin gjithnjë të rrethuara nga misteri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë