Kryeministri grek, Qiriakos Mitsotaqis ka dalë hapur kundër çeljes së negociatave për Shqipërinë. Gjatë një konference me gazetarë vendas dhe të huaj në Selanik, Mitsotaqis e bëri të qartë se për Athinën, Qeveria shqiptare duhet të respektojë të drejtat e minoritetit grek që të ecë më tej në rrugën e integrimit.
“Nuk jemi ende atje dhe nuk kemi parë ende një progres të qenësishëm në këtë drejtim”, u shpreh ai, duke sqaruar se negociata nuk ka përsa kohë sjellja e qeverisë shqiptare nuk ndryshon.
Kryeministri grek nuk e shtjelloi më gjatë këtë vendim të qeverisë së tij, por në të shkuarën ai ka paralajmëruar se Greqia do të kushtëzojë rrugën e integrimit të Shqipërisë me respektimin e të drejtave të minoritetit grek. Pika më shqetësuese që ka ngritur Athina është çështja e pronësisë. Sipas Qeverisë së re greke, minoriteti grek po diskriminohet nga Qeveria shqiptare.

Mitsotaqis tha se këtë shqetësim e kishte ngritur edhe në kancelaritë kryesore të Bashkimit Europian përfshirë Parisin dhe Berlinin, në turin e fundit të vizitave që ndërmori.
“Jam plotësisht i vendosur në këtë çështje dhe ja kam njoftuar edhe Presidentit Makron, edhe kryeministrit holandez Route, edhe kancelares Merkel”, u shpreh ai.
Kryeministri i ri grek paralajmwroi kushtet e reja për hapjen e negociatave me vendin tonë në një letër të drejtpërdrejtë për organizatën OMONIA. Kyriakos Mitsotakis ka deklaruar se respektimi i të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri përbën kusht paraprak për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Sipas kësaj organizate letra është me një rëndësi të veçante politike jo vetëm në aspektin e komunikimit zyrtar dhe përmbajtjes së ngrohtë, por edhe në referimin e problemeve dhe rolin politik që luan OMONIA.
“Shqetësimi kryesor i qeverisë greke dhe i imi personal është mbrojtja me efikasitet i të drejtave minoritare dhe të pronës të minoritetit kombëtar grek në Shqipëri, çka edhe përbën kusht paraprak për hapjen e negociatave të integrimin të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, shkruan kryeministri i Greqisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.