Politike

Atësia e Greg Ramës, Mero Baze zbardh historinë 20-vjeçare

Seanca e fundit parlamentare u shoqërua me një debat të ashpër ndërmjet kryeministrit Edi Rama dhe liderit historik të PD-së, Sali Berisha që u kthye në akuza dhe sulme personale familjare. Debati më i madh ka qenë për një shkrim të gazetës "Tema" rreth 20 vite më parë, ku me anë të një dokumenti të gjykatës për ndarje të martesore mes Edi Ramës dhe bashkëshortes së tij, kryeministri aktual kishte ngritur aludime në lidhje me atësinë e fëmijës së tij, të djalit Gregut. Një akuzë që bëhet çdo herë në arenën e politikës dhe aulën e Parlamentit sa herë që mes liderëve kryesorë të politikës “nxehen gjakrat”.
“Ti je fundërrinë që u merr shokëve gratë. Ti shet çdo moral mor horr. Ti je njeri që mohon djalin tënd. Ti je fundërrinë njerëzore. Njeriu që mohon djalin tënd, që ke akuzuar babën për përdhunues, incest, fundërrinë njerëzore”, do të deklaronte ish-kryeministri Berisha gjatë debatit në Parlament.
Ndërsa kryeministri Edi Rama do të replikonte: “Vetëm ilustrove atë që të thashë, që nuk ke lidhje me asnjë libër të vjetër a të ri të rregullave të bashkëjetesës shqiptare. Në vitin 2000 ti bashkë me disa rreth teje ke fabrikuar dokument fals, sipas të cilit unë kam bërë gjyq dhe unë kam mohuar atësinë e djalit tim. Je ti që e ke bërë këtë gjë, e ke ushqyer, ke shkaktuar dhimbje e lot në familjen time, por e ndolle Sali, vizat e mallit, të bardhë, të bardha, e ndolle, unë nuk kam lidhje as me vizat e mallit as me vizat e bardha. Ti shiko vizën e kuqe që të ndan ty me anën tjetër të Oqeanit”.
Debati i mëtejshëm mes Ramës dhe Berishës, do të nxirrte në skenë emrin e botuesit të "Tema", pasi ish-kryeministri Berisha do të deklaronte se atë dokument nuk e nxori ai, por Mero Baze.
“Ka dokument, i ka botuar Ymer Baze që të mban peng me dosjen e djalit, të gjyqit. I ke të botuara dhe nesër do i shohësh të ribotuara, ja ku është… nuk është këtu Ilir Meta se është president, ai të ka detyruar per të njohur djalin se nuk do të votonte për kryetar bashkie. Edhe kafshën, edhe derrin, lopën, gomarin, qenin po ta shohësh që nuk kujdeset për këlyshin do ta heqësh qafe, ky ishte për ta heq qafe, një njeri që i bën fëmijës së vet nuk meriton të jetë njeri, ai që ia bëri rri në zyrën e tij. Se ai ka origjinalin, ka kartelën klinike, dosjen gjyqësore e dinë mirë të gjithë”, replikoi Berisha.
Në lidhje me këtë akuzë, botuesi i "Tema", Mero Baze ka sqaruar pas 20 vitesh botimin e bërë në lidhje me atësinë e djalit të Edi Ramës, e cila u botua përpara zgjedhje lokale. Në artikullin “Një udhërrëfyes për të kuptuar Sali Berishën”, Baze sqaron historinë se si u botua ai lajm dhe se kush ishte ideatori i saj.

Faksimile e editorialit te botuar ne gazeta Tema


"Gazeta "Tema" ka qindra shkrime kundër Edi Ramës, madje disa shumë të ashpër dhe të drejtë, dhe disa që kanë pasur burim Sali Berishën si kjo dosja që përmend, natyrisht fiasko të turpshme. Për të qenë i qartë deri në fund në atë histori që mendon se është peng Edi Rama, po i kujtoj se ai i ka ofruar gazetës "Tema" dhe gazetës “RD”, botimin e asaj dosje dhe asaj që e paraqiti si “kartelë” shëndetësore të Edi Ramës. Dosjen e serviri si dosje origjinale të Gjykatës, kurse kartelën kam frikë se e ka plotësuar dhe vetë, pasi ishte format i viteve ‘80”, shkruan në këtë artikull Baze.
Më pas ai ka shpjeguar se si e mori dosjen për ta përdorur, sipas tij, kundër kandidatit për kryetar bashkie, Edi Rama.
“Ma ka dhënë dosjen në zyrë të tij, duke më thënë se e kishte siguruar nga njerëz të afërt të ish- gruas së Edi Ramës. Dhe meqë përmend dosjen origjinale, ajo me siguri është në Gjykatë dhe Gregu ka të drejtën e Zotit të ballafaqojë dosjen e ofruar nga Berisha për "Tema"-n dhe “RD”, dhe orgjinalen, se Rama është i qartë çfarë është ajo histori. Ligësia e tij që ka mundur të përdorë gazetën "Tema", ndërsa mua nuk ka mundur të më mbajë dot peng me atë pisllëk, duket se i është bërë obsesion për 20 vjet. E paska pasur ëndërr të jetës atë gjë. Kjo natyrisht e bën pis atë pjesë të historisë së gazetës, por po të ishim ndryshe, ne do ishim New York Times, e jo një gazetë shqiptare. Dhe kjo as na turpëron, dhe as na komplekson”, shkruan më tej Baze.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë