Drejtësia

Atentatorët e ish-prokurorit Ndoj dhe ‘Rrumit’, nën akuzë edhe për trafik kokaine në Europë

Gazeta Si – Atentatorët e ish-prokurorit Arjan Ndoj dhe Aleksandër Lahos, ku humbi jetën Andi Maloku, shoferi i ish-prokurorit, akuzohen edhe për trafik droge. SPAK ka caktuar një masë të dytë sigurie, “arrest me burg” për anëtarët e këtij grupi për këto akuza.

Nga hetimet, del se këta persona, përveç ngjarjes kriminale të nëntorit 2019, janë përfshirë edhe në trafikimin e sasive të mëdha të kokainës në vende të Bashkimit Europian.

Rezulton se aktiviteti i tyre kriminal të jetë kryer brenda dhe jashtë vendit.

LEXO EDHE:
- Në Shkafanë dhe Nikël, në gjurmët e atentatorëve të prokurorit Ndoja
- Zbardhet atentati ndaj prokurorit Ndoj, arrestohen 5 persona me urdhër të SPAK. I përfshirë dhe Plarent Dervishaj (video)

Një dosje e dytë që flet për trafikim të kokainës në Spanjë, është regjistruar në SPAK ndaj Plaurent Dervishajt dhe anëtarëve të grupit të tij, që u arrestuar në muajin janar 2023, për akuzën e “sigurimit të kushteve për vrasjen” e Andi Malokut dhe tentativën e vrasjes së prokurorit Arjan Ndoj dhe Landi Muharemit, i njohur si “Rrumi i Shijakut”.

Shtimi i dosjes së drogës, është çështja e tretë që hapet për Dervishajn, pasi më herët ai është marrë i pandehur për vrasjen e Klodian Saliut në vitin 2015 në Durrës.

Më herët, Gjykata e Posaçme ka miratuar kërkesën e Prokurorisë duke caktuar “arrest me burg” për Ramazan Rrajën, Julian Pjetrin, Gent Nerjakun alias Akil Nerjaku dhe Bashkim Haxhinë.

Sipas burimeve nga SPAK, grupi ka trafikuar në periudhën 2020-2021 rreth 200 kg kokainë në Spanjë.

Ndërsa në Shqipëri, del të jenë përfshirë në atentatin me armë zjarri në nëntor 2019 ndaj Landi Muharremit (Rrumit), prokurorit Arjan Ndoj dhe shoferit të këtij të fundit, Andi Maloku.

Për këtë krim, SPAK dënoi këtë verë me burgim të përjetshëm për Redjan Rrajën, i akuzuar për atentatin dhe i dyshuar si ekzekutor. Ndërkohë, për të njëjtën çështje, për Artiol Halilajn janë kërkuar 35 vite burg.

Ky i fundit akuzohet si ndihmës, pasi sipas prokurorisë është personi që mori me makinë Redjan Rrajën pas atentatit.

Në deklarimet e dhëna në vitin 2019, Rraja jo vetëm që mohonte akuzën, por ngrinte dyshime për manipulim provash kundër tij.

Sipas grupit hetimor, ai është zbuluar nga shenjat e gishtave të gjetura në një palë syze në makinën “Benz” me ngjyrë gri të përdorur nga autorët. Dyshohet se shënjestër e atentatit mund të ketë qenë prokurori Arjan Ndoj, i cili u akuzua edhe nga mazhoranca aktuale si i lidhur me bandat kriminale.

Në maj të vitit të shkuar, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra prokurorin e Durrësit, Arjan Ndoj. Ai u hetua për të tri kriteret dhe gjatë vlerësimit të figurës së tij, u konstatua papështatshmëri e figurës, pasi dyshohet se ka favorizuar persona me precedent penalë gjatë detyrës së tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë