Lajme

Atentati në Vlorë, arrestohet “Çipuri”, 15 të shoqëruar

I mbijetuari nga atentati i një dite më parë në Vlorë, Armando Sulejmani, i njohur si “Çipuri” është arrestuar nga policia e Vlorës.
Masa e arrestit i është komunikuar në spital ku edhe po mjekohet. Ai akuzohet për armëmbajtje pa leje, pasi i është gjetur në posedim një pistoletë.
Ndaj 43-vjeçarit Sulejmani ka nisur hetimi për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”.

Detajet e atentatit

Më shumë se 15 persona u shoqëruan nga policia e Vlorës lidhur me atentatin e një dite më parë në zonën e “Ujit të Ftohtë”, ku mbetën të vrarë dy të rinj dhe u plagos një tjetër.
Mes të shoqëruarve ishin dëshmitarë dhe persona që kanë pasur konflikte të mëparshme me viktimat.
Burime nga policia e Vlorës bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes janë gjetur me shumë se 25 gëzhoja.
Pasditen e 17 shkurtit, Armando Sulejmani, ish anëtar i bandës së Gaxhait, por i hetuar si i përfshirë në një seri ngjarjesh kriminale gjatë viteve të fundit në Vlorë, mbeti i plagosur në një atentat, ku dy persona të tjerë u vranë.
Çipuri bashkë me kunatin, Aurest Rexho, dhe me shokun e tij, Arjan Hasani ishte në një automjet tip Passat në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë, kur iu bë atentat nga persona ende të paidentifikuar.
I vdekur në vend mbeti shoferi Arjan Hasani, ndërsa Aurest Rexho ka mundur të dalë nga makina dhe u gjet nga policia i vdekur në rrugë, rreth dy metra larg automjetit. Ai ishte ulur në vendin e parë të pasagjerit.
Ndërsa shënjestra e këtij atentati, Armando Sulejmani ka qenë pasagjer në sedijen pas shoferit. Ai mbeti i plagosur me dy plumba nga të shtënat me breshëri kallashnikovi. Atentatorët janë larguar, ndërsa automjeti i tyre u gjet i djegur nga policia në fshatin Babicë të Vlorës.
Policia ende nuk ka një kronologji të qartë se si ka ndodhur ngjarja, por ajo që dihet është se “Çipuri” është një person me precedentë të shumtë penalë.
Larja e hesapeve
Më 23 maj 2016, në lagjen “Pavarësia” të Vlorës, 42-vjeçari Sulejmani i ka shpëtuar një atentati tjetër, ku u plagos me një plumb në krah në hyrje të pallatit ku jetonte. Në atë kohë, sipas policisë, atentatorët ishin vrasës me pagesë, por jo profesionistë. Vetë Sulejmani, kur është marrë në pyetje, pati deklaruar se nuk i njihte atentatorët e tij, pasi ishin të maskuar. Megjithëse ai deklaronte se nuk ka pasur armë zjarri në ato momente, burimet policore konfirmonin se ishte qëlluar me pistoletë nga të dyja palët. Në atë kohë, “Çipuri” kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu.
Ashtu si në atentatin e djeshëm, policia asokohe dyshonte se sulmi ndaj “Çipurit” kishte lidhje me larjen e hesapeve, për shkak të vrasjeve për të cilat akuzohet se i ka kryer më parë Armando Sulejmani. Ai ishte dënuar me 25 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ndërsa Gjykata e Lartë ia kishte ulur dënimin, duke e dënuar me 16 vite burg. Armando Sulejmani ka qenë i dyshuar për atentatin ndaj Ferdinand Llanajt, akuzë për të cilën u dënua fillimisht me 20 vite burg. Ndërsa Arjan Hasani rezulton i përfshirë në dosjen e përgjimeve për 23 ton drogë në Vlorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë