Lajme

Atentati në Elbasan, media italiane: Jeta e “Tarzanit”, bosit të kokainës

Vrasja e trefishtë e ndodhur në Elbasan dy ditë para Vitit të Ri, ka bërë jehonë edhe në Itali, ku mediat shkruajnë për Endrit Alibejn, një nga viktimat, i cili ka qenë i dënuar më parë për trafik droge në këtë shtet.

Gazeta italiane “La Stampa”, përshkruan jetën e 34-vjeçarit, i përfshirë në një rrjet të zgjeruar në trafikun e drogës, deri dhe nofkën me të cilët njihej në Itali, “Tarzani”.

Prestigjiozja italiane, vijon më tej duke shkruar se Alibej ndodhej në një makinë “Range Rover” të zi dhe u ekzekutua në një pritë ku humbën jetën edhe dy miq të tij.

“La Stampa”, duke iu referuar mediave shqiptare, thekson se bëhet fjalë për një “atentat mafioz”, duke e cilësuar Endritin si objektiv të vrasësve. Një larje hesapesh e mundshme mes klaneve rivale. Rasti lidhet edhe me prokurorinë e Astit, sepse Alibej në vitin 2013 ishte në qendër të një hetimi maksimal nga ana e karabinierëve të koordinuar nga prokurorja, Maria Vittoria Chiavazza për trafikimin e kokainës midis Holandës dhe zonës së Astit.

I quajtur “Tarzan

Sipas “La Stampa”-s, Endriti, i lindur në Elbasan më 17 tetor 1984, thirrej edhe “Tarzani”, ndërsa herë pas here ka përdorur mbiemrin e nënës, Dylgjeri. Por ai gjithashtu kishte emërtime të tjera, të tilla si ai i shtetasit rumun Gabriel Manu ose grek Dimitrios Kriporis. Një kriminel i dyshuar ndërkombëtar që i përkiste një rrjetit evropian droge, për të cilin heqja e kufijve kishte qenë elementi vendimtar për të bërë biznes.

Apartament “i pastër” në Asti

Ai ishte shpërngulur shumë i ri në Asti dhe deri në vitin 2012 kishte jetuar me të dashurën e tij në një apartament, në zonën “Corso Casale”. Ai kishte një apartament “të pastër”, në një ndërtesë në “Via Roreto 13”, me qira, – vijon gazeta italiane. Në shkurt të vitit 2012, policia ishte në gjendje të futej në shtëpinë e tij në Roreto, ndërkohë që askush nuk ishte brenda, duke fotografuar drogën, fletoret dhe llogaritë e organizatës kriminale, duke sekuestruar qindra kg kokainë.

Hetuesit kishin peshuar drogën, të fshehur në një kuti me uiski, duke e lënë në dhomë në mënyrë që të mos rrezikonin hetimin. Në qershor të vitit 2013, gjatë operacionit të koduar “Cocash” u arrestuan shumë persona, por Endriti nuk ishte gjetur. Në vitin 2014 ai u dënua në mungesë nga gjyqtari Giacomo Marson me 5 vjet dhe 4 muaj burgim dhe 30 mijë euro gjobë. Gjykimi u konfirmua në Gjykatën e Apelit dhe në fund dhe nga ajo e Kasacionit në 15 nëntorin e shkuar.

Ekstradimi

Për Alibejn, procedura e ekstradimit ishte gati të fillonte. “Ne kurrë nuk e kemi parë apo dëgjuar atë. Për ne kjo ishte një procedurë e mbyllur“, është shprehur avokati torinez, Guido Anetrini, i cili e kishte mbrojtur atë në emër të familjes së tij. Ndërkohë, Endriti ishte kthyer në vendin ku gjithçka nisi, në Elbasan, ku gëzonte lirisht pasurinë e akumuluar në Itali. Dikush donte që ai të paguante. “Se çfarë bëri për të merituar vdekjen, duhet ta zbulojnë prokurorët shqiptarë dhe ndoshta, edhe ata të Astit, – e mbyll shkrimin gazeta italiane, “La Stampa”.

 

Më Shumë