Lajme

Atentati ndaj prokurorit Ndoja, shoqërohet i dyshuari kryesor nga Fushë-Kruja

Tri ditë pas atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja është shoqëruar nga policia si i dyshuar kryesor një shtetas nga Fushë-Kruja.
Mësohet se ai është shoqëruar nga Policia e Tiranës mbrëmjen e djeshme. Ndërkohë priten rezultatet nga ekspertiza për provat e gjetura në automjet për të thënë fjalën e fundit.
Në makinën që përdorën autorët për atentatin, por që nuk arritën që ta digjnin u gjetën dhe u sekuestruan fije floku dhe gjurmë gishtash, të cilat janë dërguar për ekspertizë për të zbuluar se kujt i përkasin për të zbuluar autorët e atentatit.
Atentati mafioz ndodhi pasditen e së premtes në mbikalimin e Shkozetit, pranë autostradës Tiranë-Durrës, duke lënë të plagosur tre persona. Sipas të dhënave të policisë atentati kishte për qëllim sulmin ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja.
Nga ngjarja e ndodhur ngelën të plagosur edhe dy të tjerë, shoferi i Ndojit dhe shoku i tij, Aleksander Laho dhe Arlind Maloku.
Prokurori i Durrësit udhëtonte me mjetin ‘benz’ me targa AA 333 ZD gjatë kohës kur një automjet tjetër i është afruar dhe ka hapur zjarr. Dyshohet se shënjestër e atentatit ka qenë pikërisht prokurori Ndoj, i cili së fundi u bë ‘mollë sherri’ mes maxhorancës dhe opozitës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë