Rend dhe Ligj

Atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoja, arrestohet një i dyshuar

Arrestohet një i dyshuar për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja, ngjarje e ndodhur më 1 nëntor 2019.

Policia e Durrësit thotë se ka arrestuar 29-vjeçarin Ariol Halilaj, lindur në Skrapar dhe banues në Durrës, që dyshohet si bashkëpunëtor i autorëve.

Siç njofton policia, 29-vjeçari i arrestuar është bashkëpunëtori kryesor i autorëve të ngjarjes, pasi pas braktisjes së mjetit nga autorët, ky shtetas ka larguar me mjetin e tij autorët e krimit nga vendi ku braktisën mjetin me të cilin kryen krimin.

Ndërkohë, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur, u arrestua njëri prej autorëve të dyshuar, Redjan Rraja nga fshatin Nikël i Fushë-Krujës.

Gjithashtu, brenda një kohe të shkurtër, në fshatin Shkafanë, Durrës, është gjetur i braktisur mjeti tip “Benz”, me targë AA342LM, që dyshohet se mund të jetë përdorur nga autorët e ngjarjes. Gjatë këqyrjes së këtij mjeti janë gjetur dhe sekuestruar edhe prova të tjera materiale, të cilat dyshohen se janë përdorur nga autorët, konkretisht: dy armë zjarri AK 47, dy maska, një sasi lënde djegëse dhe sende të tjera.

Atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoja ka ndodhur më 1 nëntor të vitit të kaluar në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit, ku mbetën të plagosur tre persona, Arjan Ndoja, 42 vjeç, me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, Aleksandër Laho dhe Andi Maloku, i cili më pas ndërroi jetë në spital.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë