Rend dhe Ligj

Atentati me 20 plumba- Të gjitha pistat të çojnë tek Gjiri i Lalzit


Atentati i bujshëm pasditen e së premtes ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja mund të mos ketë pasur atë si objektiv . Bashkë me prokurorin e Durrësit u plagosën dhe dy të tjerë që po udhëtonin në të njëjtën makinë me tën, Andi Maloku dhe Aleksandër Laho.

Aleksandër Laho ka precedentë penalë dhe njihej si miku i prokurorit, por përdorte edhe emër tjetër Landi Muharremi. Në një prej pistave, prokurorët dyshojnë se objektivi mund të ketë i forti i Sukthit, Landi Muharremi dhe motivi lidhet me çështjen e pronave. Ai u ndalua dy vite më parë edhe si përfshirë në rrahjen barbare që iu bë biznesmenit libanez, Faad Mitri, në kryqëzimin e Rinasit, pikërisht për një konflikt prone në Gjirin e Lalëzit, një prej zonave kryesore të turizmit në vend.
Gjithsesi policia po punon edhe nje pistë të dytë për të zbuluar nëse objektivi ishte prokurori Ndoja i vënë në shenjëstër kohët e fundit në lidhje me çështjet e bujshme të hapura për pronësinë në zonat e bregdetit në qytetin e Durrësit. Gjithsesi të dyja pistat bashkohen me një motiv: pronat në Gjirin e Lalëzit.

Makina e prokurorit Ndoja pas atentatit të ndodhur në mbikalimin e Shkozetit. Gazeta Si, 2 nëntor 2019


Prokurori Arjan Ndoja, ka qenë i vetmi nga dëshmitarët që ka mundur të flasë për këtë ngjarje të rëndë, dhe ka mohuar të ketë qenë shenjëstra në këtë atentat. Mësohet se Ndoja ka drekuar me mikun e tij në një nga lokalet e zonës së bregdetit dhe më pas së bashku janë nisur drejt Tiranës në makinën private të prokurorit. “Nëse do të më adresoheshin mua, nuk kishin arsye të më vrisnin në autostradë. Mua mund të më vrisnin në derë të shtëpisë, në prokurori. Nuk ka arsyeje që të më sulmonin në autostradë”, mësohet se ka pohuar prokurori.
Ndoja pas operacionit të kryer ka dalë nga salla e Reaminacionit, pasi gjendja e tij është stabilizuar dhe ndodhet në spitalin e Durrësit. Nga breshëritë e plumbave ai ka marrë dy plumba. Më e rëndë është gjendja e shoferit të prokurorit Andi Malokut, ka plumba në të dy anët e mushkërive një plumb ku një prekur në shtyllën kurrizore, dhe ka humbur ndjeshmërinë e trupit. Ai ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë nën vëzhgimin e rreptë të mjekëve.

Ndërsa Pëllumb Muharremi (Aleksandër Laho), i njohur me pseudonimin Rrumi për shkak të plumbit ta marrë në nofull nuk mund të flasë dhe se i vetmi për ngjarjen e ndodhur te mbikalimi i Shkozetit ka folur prokurori Durrësit.

Landi Muharremi, personi që ka nofkën Rrumi. Dysohet se atentati kishte atë si objektiv, pasi edhe sulmi me armë është në pjesën prapa ku ishte ulur i forti i Sukthit. Gazeta Si, 2 nëntor. 2019


Disa orë pas ngjarjes u gjet e braktisur makina e atentatorëve në zonën e Gjirit të Lalëzit, në fshatin Shkafonë. Brenda në automjetin e braktisur, tipit ‘Benz’ 2800 që kësaj radhe nuk ishte i djegur, u gjetën dy automatikë kallashnikovë dhe dy maska që dyshohet se janë përdorur nga autorët gjatë krimit. Ekspertët hetimorë mësohet se kanë gjetur edhe shishe benzine, për t’u përdorur për të djegur mjetin, por nuk kanë mundur ta kryejnë këtë proces. Maskat e gjetura janë dërguar për ekspertizë, pasi janë gjetur me mbetje biologjike. Sipas të dhënave paraprake mjeti i përdorur për këtë aksident rezulton të jetë vjedhur në Tiranë. Kjo është shpresa më e madhe e prokurorëve të krimeve të rënda për gjetur autorët. Gjithashtu janë sekuestruar edhe kamerat në zonën ku mendohet se kanë lëvizur me makinë atentatorët, për të gjetur ndonjë mundësi identifikimi.

Makina në momentin e atentatit. Shoferi ka manovruar për t'i shpëtuar plumbave dhe makina ka dal jashtë rruge në një arë. Gazeta Si, 2 nëntor 2019


Në atentatin e djeshëm ku u derdhën 20 plumba mbetën të plagosur Aleksandër Laho, 48 vjeç, Arjan Ndoja, 44 vjeç dhe Andi Maloku, 30 vjeç. Mësohet se në këtë manovrimi i shoferit ka shpëtuar jetën prokurorit dhe shokut të tij. Kjo pasi në momentin që makina ka qenë tek mbikalimi i Shkozetit, një makinë tip Benz që mendohet se kanë pasur 3 persona ka qëlluar në ecje e sipër drejt makinës ku ndodhej prokurori me breshëri. Policia ka shoqëruar disa persona, por deri më tani nuk ka asnjë të ndaluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë